Shenjtorët e javës 22 – 29 dhjetor
R.SH. - Vatikan
E diel 22 dhjetor, Kisha katolike romake kremton të dielën e 4-të të e fundit të Kohës së Ardhjes. Po më 22 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Françeskën Kabrini, virgjër, themeluese e Misionarëve të Zemrës së Krishtit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na kujton thirrjen e psalmistit: ‘Ta ngrejmë lart kokën, shpëtimi ynë është afër!’. Pritja e Lindjes së Jezu Krishtit tashmë është tek porta. Tre udhëheqës të mëdhenj na ndihmojnë të përgatitemi për ta pritur në zemra tona Shpëtimtarin Hyjnor: Izaia profet, Gjon Pagëzuesi, e sot, Maria e Nazaretit. Nis, kështu, një nga javët më gazmore të vitit, që i afrohet fundit të vitit plot vezullime, premtime dhe shpresa. Zoti vjen rishtas mes nesh, për të na rinuar ne e botën! Liturgjia e kësaj sё diele na sjell këtë reflektim: Krishti është shëlbuesi i vërtetë i njerëzimit e Maria ua dhuroi të gjithë atyre njerëzve që duan e dinë ta presin në zemër.
Të hënën më 23 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Gjonin e Ketit.
Të martën më 24 dhjetor, bie Nata e Madhe e Shenjtë e Krishtlindjes. Kremtojmë festën kur Krishti fëmijë rilind në zemrat e njerëzve, në zemrat e atyre që besojnë e të atyre që nuk besojnë, sepse Zoti vjen në botë për të gjithë, duke u sjellë si dhuratë vetveten. Hyji deshi të bëhej njeri, duke hyrë në historinë konkrete të njerëzimit. Gjenealogjia e gjatë e fisit të Jozefit na dëshmon se Jezusi Zot i përket popullit hebraik e mbarë njerëzimit.
Të mërkurën më 25 dhjetor, kremtojmë Lindjen e Zotit tonë Jezu Krishtit. Është Dita e Madhe e Krishtlindjes, Dita e festës së Mishërimit të Zotit kur gjithçka nis përtëritjen; errësira bëhet dritë e Engjëjt mbi Shpellën e Betlehemit këndojnë: “Lumni Zotit në qiej të larta e paqe në tokë njerëzve, që ai i do!”, ndërsa besimtarët rijetojnë mrekullinë e Betlehemit në Meshët e Natës dhe të Ditës së Lindjes së Shëlbuesit të botës, Jezu Krishtit Zot.
Të enjten me 26 dhjetor, kalendari kishtar përkujton Shën Shtjefnin, martir i parë i krishterimit. Ja çfarë shkruante për festën e tij Shën Fulgjenci i Ruspes: “Dje kremtuam lindjen në kohë të Mbretit tonë të amshuar, Jezus, sot kremtojmë mundimin ngadhënjimtar të ushtarit. Dje, mbreti ynë, i veshur me trup njerëzor e duke dalë nga prehri i Virgjërës, denjoi të vizitojë botën; sot, ushtari, duke dalë nga tenda e trupit, hyri ngadhënjimtar në qiell”.
Të premten më 27 dhjetor, kalendari kujton Shën Gjonin apostull e ungjilltar. Biri i Zebedeut, vëllai i Jakobit, nxënësi i Gjon Pagëzuesit, është ndër të parët ndjekës të Jezusit. Është dishepulli i dashur, që, në darkën e fundit, vuri kryet në kraharorin e Jezusit. Dëshmitar i shndërrimit dhe i agonisë së Zotit, është i pranishëm tek këmbët e kryqit, ku Jezusi i besoi Nënën e vet. Bashkë me Pjetrin pa varrin e zbrazët të Krishtit dhe besoi në ringjalljen e Zotit.
Të shtunën më 28 dhjetor, kalendari shënon kujtimin e Fëmijëve të Pafajshëm, martirë. Fëmijët e vrarë nga Herodi mbret i japin dëshmi Krishtit jo me fjalë, por me gjak. Ata na kujtojnë se martirizimi është dhuratë e Zotit.
Të dielën e ardhshme më 29 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë Familja e Shenjtë. Familja e Marisë, Jezusit dhe Jozefit është modeli i familjes së krishterë. Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri.
Gjithnjё mё 29 dhjetor, kalendari pёrkujton shën Tomën Becket, ipeshkëv e martir.
Kujtojmë se Viti 2024 numëron ditët e fundit. Duke biseduar me ju, të dashur dëgjues, ndërmjet dy festave të mëdha të fundvitit, nuk mund të mos i mbyllim këto faqeve të ditëve të fundit të kalendarit 2024, me urimin: “Për shumë vjet Krishtlindjen dhe Gëzuar Vitin e Ri!”