Kërko

Papa Luciani Papa Luciani

Paraqitja e “Illustrissimi”, letrat e Luçianit drejtuar të mëdhenjve të historisë

Do të paraqitet në Venedik të premten, me 17 maj, Vepra "Illustrissimi", e cila përmban tekstin e Imzot Luçianit, Papës Gjon Pali I, në bisedë imagjinare me gjenitë e historisë. Botimi kritik nga Messaggero Padova, redaktohet prej Stefania Falasca-s, me parathënien e kardinalit Mendonça. Ngjarja organizohet nga Fondacioni Gjon Pali I, në bashkëpunim me Ministrinë e Trashëgimisë Kulturore dhe Mbikëqyrjes së Arkeologjisë, Arteve të Bukura dhe Peizazhit për Venedikun dhe Lagunën

R.SH. / Vatikan

Në qytetin lagunor, Venecia, ku Albino Luçiani ishte Patriark nga viti 1970 deri në vitin 1978, përpara se të ulej në fronin e Pjetrit më 26 gusht 1978, Superintendenca e Arkeologjisë, Arteve të Bukura dhe Peizazhit për Bashkinë e Venedikut dhe të Lagunës, hapin dyert e Pallatit Dukal për një rast të jashtzakonshëm: botimin kritik të përmbledhjes së 40 letrave imagjinare, botuar nga Albino Luciani në vitin 1976 kur ishte patriark, dhe më pas Papë, Gjon Pali I, me rishikimin e tij pak ditë para vdekjes.

Eshtë fjala për një përmbledhje “letrash të hapura” shkruar nga Luçiani ndërmjet viteve 1971-1975, botuar në Lajmëtari i Shëna Ndout. Të pranishëm në faqet e këtij libri të jashtëzakonshëm, personazhe mitologjike e historike, autorë të letërsisë italiane e të huaj e edhe Shenjtorë të Kishës katolike. Këto shkrime nxjerrin në dritë stilin oratorik të Papës së ardhshëm, buruar nga penda e kulturuar dhe stili oratorik, stil i thjeshtë e direkt. Ritakojmë në këtë vepër Charles Dickens-in, Johann Wolfgang Goethe-n, Alessandro Manzoni-n, Guglielmo Marconi-n … e, sidomos, Jezusin!  

Mendonça: vepër për t'u renditur ndërmjet klasikëve

Koleksioni i titulluar "Illustrissimi" është, pra, përmbledhje e letrave drejtuar autorëve të vërtetë, personazhe historike dhe fiktive, në një përzierje ndërvepruese të erudicionit e qartësisë, të shenjtes dhe profanes. Botimi kritik redaktohet nga Stefania Falasca, nënkryetare e Fondacionit Vatikanas Gjon Pali I dhe, që nga viti 2023, postulatore e Çështjes së shenjtërimit.

Rast letrar për kardinalin José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin, autor i parathënies së vëllimit, që vëren:  "Në përkufizimin për klasikët, Italo Calvino shkruan se ‘klasiku është libër që nuk ka mundur kurrë ta thotë çka kishte për të thënë". Është ky, pa asnjë hije dyshimi - vijon kardinali - rasti i Illustrissimi. E meriton botimin, për të ushqyer një brez të ri lexuesish”.

Në paraqitje, edhe kardinali Parolin

Në paraqitjen e punës në selinë historike të Serenissima në Piovego, në orën 17:00 të së premtes 17 maj, do të jenë Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit dhe Kryetar i Fondacionit Gjon Pali II, Patriarku i Venecias Francesco Moraglia,  dhe shumë autoritete të Kishës dhe të arteve.

Leximi i disa fragmenteve dhe ekzektimeve muzikore

Ngjarja parashikon edhe leximin e disa letrave të “Illustrissimi”, drejtuar Charles Dickens dhe Mark Twain, romakut Giuseppe Gioachino Belli dhe venecianit Carlo Goldoni, me zërin e Luisa Andreazza dhe Fabrizio Pinaffo. Gjithashtu do të ndiqen pjesë muzikore nga Beethoven dhe Vivaldi, interpretuar nga harpistja Gemma Gresele, mjeshtrja Cecilia Francesca Romana Valente e Konservatorit Giuseppe Verdi të Milanos dhe sopranoja Francesca Polenta e Konservatorit Santa Cecilia të Romës.  

Do t'i kushtohet Lucianit, dhoma ku ruhen librat e tij

Me rastin e paraqitjes së “Illustrissimi”, pasditen së premtes 17 maj, në orën 15.30, Imzot Francesco Moraglia do t’i kushtojë Gjon Palit I dhomën e bibliotekës dioqezane të Patriarkanës së Venedikut, ku gjenden vëllimet e rizbuluara të koleksionit të librave, që i përket Lucianit, pjesërisht i humbur. Duke filluar nga viti 2021, Fondacioni vatikanas Gjon Pali I  ka nisur një projekt ad hoc për rishikimin, mbrojtjen dhe vlerësimin e Fondit, i cili së bashku me letrat bëhet burim i privilegjuar për studime mbi formimin, punën dhe magjisterin e Gjon Palit I.  

08 maj 2024, 14:59