Kërko

Kard. Zuppi dhe Imzot Crociata: "E dashur Evropë gjej sërish shpirtin dhe paqen"

Letra e krerëve të Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE) dhe të Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), me rastin e Ditës së Bashkimit Europian: “Dëshirojmë që ti të sjellësh në botë mjetet e diplomacisë”. Thirrja për jetën, për dinjitetin e njeriut, për emigrantët

R.SH. – Vatikan

 “I dashur Bashkimi Evropian, është e pazakontë të të drejtohemi në vetën e dytë njëjës, por na vjen natyrshëm sepse jemi rritur me ty. Je një i vetëm, je 'Evropa', megjithëse përfshin 27 vende, me 450 milionë banorë, të cilët kanë zgjedhur lirisht të lidhen për të formuar Bashkimin. Çfarë mrekullie”. Kështu nis, me një ton plot dashamirësi, “letra e hapur” drejtuar BE-së, nënshkruar nga kard. Matteo Maria Zuppi, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane (CEI), si edhe nga imzot Mariano Crociata, ipeshkëv i Latinës dhe kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (Comece), me rastin e Ditës së Evropës 2024, e cila kremtohet më 9 maj, në kujtim të Deklaratës Schuman, që në atë datë të vitit 1950 shënoi fillimin e procesit të integrimit evropian.

“Në vend që të grindemi e të injorojmë njëri-tjetrin, të njihemi e të merremi vesh! E dimë: nuk është gjithmonë e lehtë, por sa vendimtare është që në vend të barrierave dhe të mburojave, t’i zhdukim ato dhe të bashkëpunojmë. Ti – vazhdojnë Zuppi dhe Crociata – je shtëpia jonë, shtëpia jonë e parë e përbashkët. Në të mësojmë të jetojmë si ‘Fratelli tutti’ (vëllezër), siç ka shkruar një nga bijtë e tu, prindërit e të cilit shkuan në ‘fund të botës’ për të kërkuar të ardhmen”, përmendet kështu enciklika e Papës Françesku dhe historia e tij personale.

Rëndësia e Bashkimit Evropian

  Letra e gjatë, e cila e hedh vështrimin drejt zgjedhjeve evropiane të qershorit, shpreh fillimisht një dëshirë: “Të përforcohet ajo që ti përfaqëson dhe je, që të gjithë të mësojmë të të ndiejmë afër, miqësor dhe jo të largët a të panjohur. Ke nevojë për këtë, sepse njerëzit shpesh flasin keq për ty dhe shumë harrojnë sa gjëra të rëndësishme bën. E pamë gjatë Covid-it: vetëm së bashku mund t’u bëjmë ballë pandemive. Fatkeqësisht, e kuptojmë këtë vetëm kur ta kemi nevojën, por pastaj, harrojmë lehtë! Pra, kur mendojmë se mund t’ia dalim vetë, përfundojmë të gjithë kundër të gjithëve".

Ëndrra e etërve themelues

 Letra vazhdon me një pasqyrim të gjerë historik, që i gjen rrënjët e integrimit ekonomik dhe politik në dëshirën për paqe, e cila lindi nga "tragjedia e Luftës II Botërore". Kujtohen ata që "të menduan dhe të deshën”, si Robert Schuman, francez, Konrad Adenauer, gjerman dhe Alcide De Gasperi, italian. “Të frymëzuar nga feja e krishterë, ata ndjenë thirrjen për të krijuar diçka, që do ta bënte të pamundur rikthimin e luftës në tokën evropiane. Menduan me inteligjencë, ambicie dhe guxim. Nuk munguan çastet e vështira, por forca, që vjen nga uniteti, e ka treguar tashmë vlerën e rrugës së ndërmarrë dhe mundësinë për korrigjim, përshtatje, për mirëkuptimin e njëri-tjetrit”.

Po sot Evropë, çfarë roli luan?

Pikërisht, duke pasur parasysh këtë traditë, por edhe kthimin e luftës në Evropë, me Ukrainën, me antisemitizmin e me urrejtjen në rritje për më të brishtët, si, për shembull, emigrantët, krerët e ipeshkvijve evropianë pyesin: “Çfarë roli luan ti, Evropë, në botë? Duam që të kesh ndikim dhe të sjellësh vullnetin tënd për paqe, mjetet e diplomacisë tënde, vlerat e tua. Zgjoje sërish forcën tënde që të të dëgjohet zëri, për të vendosur ekuilibra dhe marrëdhënie të reja ndërkombëtare. Ndarjet e tua të brendshme nuk të lejojnë të luash rolin, që pritet nga niveli yt historik dhe kulturor. A nuk e sheh që konfliktet e brendshme ka rrezik ta dobësojnë jo vetëm peshën tënde ndërkombëtare, por edhe aftësinë për të përmbushur pritshmëritë e popujve të tu?”

Thirrja për një humanizëm të ri

 Që këtej, thirrja për një humanizëm të ri, ku të gjithë banorët e Bashkimit Evropian të ndihen të bashkuar rreth një projekti të vetëm; të marrin përsipër përgjegjësinë për vendet nga ku vijnë emigrantët, të cilët e shohin Kontinentin e Vjetër si pikë referimi për një të ardhme më të mirë; të bashkëndajnë vlerat bazë të Bashkimit, me një konceptim të ri për qytetarinë në vendet evropiane, me frymëmarrje më të gjerë, me vetëdijen se popujt e kontinentit janë një popull i madh e i vetëm. Për këtë duhet të shërbejnë edhe zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian. Ipeshkvijtë u bëjnë thirrje sidomos të rinjve, që votojnë për herë të parë, duke i ftuar të mos i braktisin kutitë e votimit e ta kryejnë detyrën e të drejtën e tyre me përgjegjësi.

Roli i të krishterëve evropianë

 “Si të krishterë – vihet në dukje në letër - vazhdojmë të ndiejmë një përgjegjësi të madhe. Tek ti gjejmë shumë vëmendje për dinjitetin njerëzor, që Ungjilli i Krishtit e ka mbjellë në zemrën dhe në kulturën tënde. Prandaj, vuajmë jo pak kur shohim se ke frikë nga jeta, nuk di ta mbrosh dhe ta mirëpresësh atë nga fillimi deri në fund dhe jo gjithmonë inkurajon rritjen demografike”.

Së bashku me Papën Françesku, ipeshkvijtë e COMECE-së dhe kardinali italian Zuppi urojnë: “Me mendje dhe zemër, me shpresë dhe pa nostalgji të kota, si një bir që rizbulon rrënjët e tij të jetës dhe të fesë në Evropën Nënë, ëndërrojmë një humanizëm të ri europian, “një udhë të vazhdueshme humanizimi”, së cilës i duhen ‘kujtesë, guxim, utopi e shëndetshme njerëzore’”.

08 maj 2024, 14:39