Atë Patton: në botën e copëtuar nga konfliktet, dëgjojmë zërin e të Pafajshmit
R. SH. - Vatikan
“Në këto Krishtlindje, ende të errësuara nga terri i urrejtjes dhe i luftës, ende të infektuar nga virusi i indiferencës njerëzore, ende të skuqur nga gjaku i shumë njerëzve të pafajshëm të vrarë, gjunjëzohemi përpara grazhdit, ku Maria vendosi Krishtin Fëmijë”. Frati Francesco Patton, Rojetar i Tokës Shenjte, në mesazhin e tij të Krishtlindjes drejtuar të gjithë grave dhe burrave vullnetmirë, ia ngul sytë Betlehemit. Një gjest, ai i gjunjëzimit, për t'i thënë po Princit të Paqes dhe një "jo” të guximshme luftës, çdo lufte, vetë logjikës së luftës, shtegtim pa cak, humbje pa fitues, çmenduri pa justifikime"- nënvizon me forcë rregulltari, duke rikujtuar pjesët e jashtëzakonshme të Mesazhit Urbi et Orbi, të shqiptuar nga Papa Françesku më 25 dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërmjet dhimbjeve të botës
Në sytë e Fratit Patton kalojnë pamjet e vdekjes dhe të dhimbjes, që shkatërrojnë jo vetëm Tokën Shenjte, por të gjitha anët e botës së prekur nga konfliktet të cilat në numër i tejkalojnë edhe ato të Luftës II Botërore. Një situatë shumë e vështirë, kujton, ishte edhe kur lindi Jezusi, pavarësisht se historia e Krishtlindjes dhe përshkrimi i skenës së lindjes së Krishtit na frymëzon ëmbëlsi dhe ndjenja poetike: “Roma pushtoi me forcë gjithë botën mesdhetare.
Në Jude mbretëronte një satelit i vogël i perandorisë së madhe, Herodi, Mbret aq i lidhur me pushtetin, sa që i mbyti edhe fëmijët e vet, për të mos pasur kundërshtarë. Një mbret që ka frikë nga një fëmijë i porsalindur, sepse i folur nga profecitë si mbret dhe mesi i mundshëm. Një mbret, i cili për këtë arsye shkon aq larg, sa të kryejë një masakër parandaluese, duke vrarë në zonën e Betlehemit të gjithë fëmijët dy vjeç e poshtë, për të shmangur rrezikun që ndonjëri prej tyre, pasi të rritet, t'i marrë pushtetin dhe mbretërinë". Nuk është e vështirë, sipas fjalëve të Atë Patton-it, të shihet një paralele me krizat aktuale të krijuara nga mungesa e dashurisë, përhapja e urrejtjes, dëshira për sundim dhe etja për grumbullimin e burimeve natyrore.
Drita e shpresës
Por fjalët e Rojtarit të Tokës Shenjte nuk janë pa shpresë, pa dritë as pa shpengim. Sidomos kur kujton një ngjarje vendimtare në historinë e shëlbimit: “Siç rrëfen Shën Luka ungjilltar, Maria dhe Jozefi duhej të shkonin në Betlehem për regjistrimin e popullsisë. Meqenëse nuk kishte vend për ta në asnjë bujtinë, ata duhej të ndaleshin si e ku të mundnin; e gjetën strehim në një shpellë, nga ato që përdornin edhe barinjtë. Kështu kanë një strehë, nën të cilën Maria lind Krishtin Fëmijë, e mbështjell me pelena dhe e vendos mbi grazhd. Duket si profeci e faktit se ai fëmijë i rritur, do të bëhej shujta jonë, por edhe e faktit se ky fëmi, i rritur, do të mbështillej përsëri dhe me nxitim “me pelena” e, më pas, me një çarçaf e do të vendosej në një shpellë shumë e ndryshme, ajo e varrit”.
Patriarkët dhe Kishat e Jeruzalemit
Një shpresë e fortë gurron edhe nga mesazhi i Krishtlindjes i Patriarkëve dhe krerëve të Kishave të Jeruzalemit. Pavarësisht nga luftërat e pafundme që “gjakosin rajonin tonë dhe mbarë botën - lexojmë në tekst - lindja e Zotit tonë Jezu Krisht shkaktoi një revolucion shpirtëror, që vazhdon të shndërrojë zemra e mendje të panumërta drejt rrugëve të drejtësisë, mëshirës dhe paqes".
Pasi falënderojnë "të Gjithpushtetshmin Zot për armëpushimin e fundit ndërmjet dy palëve ndërluftuese në rajon" e kërkohet që "të shtrihet në Gaza dhe shumë vende të tjera, duke i dhënë fund luftërave që prekën këtë pjesë të botës", Patriarkët dhe krerët e kishave të Jeruzalemit përsërisin thirrjen “për lirimin e të gjithë të burgosurve, për kthimin e të pastrehëve dhe të shpërngulurve, për kujdesin e të sëmurëve dhe të plagosurve, për lehtësimin e atyre që janë të uritur dhe të etur, për rikthimin e pronave të sekuestruara apo të kërcënuara padrejtësisht dhe për rindërtimin e të gjitha strukturave civile publike dhe private, që u dëmtuan ose u rrënuan”.