Betlehemi, vend i shpirtit: Jozefi punëtor e ëndërrimtar
R.SH. - Vatikan
Në Betlehem, para skenës së lindjes së Jezu Krishtit të përhumbur në adhurimin e Foshnjes Hyjnore. Pikërisht në këtë katund të Judesë, Betlehem, duke hyrë në jetën e tij shoqërore, u formua Familja Shenjte: Maria, Jozefi dhe Jezusi i vogël.
Jozefit i takon roli dhe përgjegjësia për t'i dhënë zë, unitet dhe jetë gjithë grupit të vogël familjar. Por kohët fillojnë të bëhen të vështira dhe, për Jozefin zemërbutë, duket barrë e padurueshme t’u shkojë pas të gjitha të papriturave, është diçka përtej forcave të tij të zakonshme: “Engjëlli i Zotit iu duk Jozefit në ëndërr dhe i tha: Çohu, merr me vete fëmijën e nënën e tij dhe ik në Egjipt...”. Pastaj, në një çast të dytë: “Engjëlli i Zotit iu duk Jozefit në ëndërr dhe i tha: Çohu, merr me vete fëmijën e nënën e tij e shko në tokën e Izraelit…”.
Në këto vite të para të jetës së Jezusit, duket se shndrit mbi të ylli i Shën Jozefit: ëndërr, dashuri dhe vetmi. Kështu e përshkruan figurën e shenjtit shkrimtari i madh fiorentin, Ferruccio Ulivi, në romanin e tij me titull “Si udhëtimi i një ylli, Jozefi i Nazaretit”. E hapim në përfundim të këtij udhëtimi ungjilloro-letrar, duke projektuar në sfond imazhin e Jozefit, punëtor dhe ëndërrimtar.
“Njeriu që, në mëngjesin e një pranvere në hapat e saj të para e të pasigurta, në një vend të Lindjes së Mesme, pranë kufirit me Sirinë, shtynte një gomar të ngarkuar me dru dhe mjete zdrukthëtari përgjatë një rruge lokale, nuk kishte asgjë për të tërhequr vëmendjen. Moshë e mesme, me shpatulla të forta punëtori, linte të shihej një tufë flokësh gati të kuqe në kokë dhe, nën ballë, dy sy të qashtër, të përhumbur ndërmjet mendimeve të veta e mahnitjes: të mbushur, do të thoshte dikush, me heshtje. Po transportonte një punë të kryer për një klient. I zënë me lloj-lloj impenjimesh, dilte rrallë. Në ditët e festave, si hebre praktikant, shkonte në sinagogë".
Ky ishte shën Jozefi: njeri i thjeshtë, punëtor si shumë të tjerë, që së bashku me Marinë, i thanë “po” Zotit, duke ia ndryshuar historinë njerëzimit.