Papa: "Jubiletë janë momente të çmuara për të bërë një bilanc të jetës
R.SH. / Vatikan
"Jubiletë janë momente të çmuara për të bërë një bilanc të jetës sonë, si individë ashtu edhe si bashkësi. Ata janë gjithashtu edhe mundësi për reflektim, kujtim dhe dëgjim të asaj që Shpirti Shenjt na thotë sot". Kështu pohon Papa Françesku në platformën sociale X në pragun e hapjes, nesër 24 dhjetor në oreën 19.00, të Derës së Shenjtë të Bazilikës së Shën Pjetrit.
Papa do të hapë Portën e Shenjtë më 24 dhjetor
Në orën 19 të datës 24 dhjetor 2024, Papa Françesku do të kryesojë Eukaristinë e Shenjtë në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan dhe më pas do të vazhdojë me ritin e hapjen e Porës së Shenjtë. Ati i Shenjtë Bergoglio dëshiron të bëhet shtegtar i shpresës dhe do të jetë i pari që do të kalojë pragun e Derës së Shenjtë, për t'i ftuar të gjithë ata që do të vijnë gjatë vitit jubilar të ndjekin shembullin e tij, për të shprehur, kështu, gëzimin e takimit me Krishtin Jezus, shpresën tonë. Kujtojmë se hapja e kremtimeve jubilare do të shpallet me një koncert të shkurtër këmbanash nga "Pontificia Fonderia di Campane Marinelli”.
Shpresa nuk zhgënjen
Në Bulën e shpalljes së Vitit Jubilar 2025, titulluar 'Spes non confundit' (Shpresa nuk zhgënjen), Papa Françesku përcaktoi si Portë Shenjte "atë të Bazilikës së Shën Pjetrit dhe të tri bazilikave të tjera papnore” në Romë, që janë ato të Shën Gjonit në Lateran, të Shën Marisë së Madhe dhe të Shën Palit Jashtë Mureve. Gjithashtu, Ati i Shenjtë Bergoglio shprehu dëshirën për të hapur personalisht një Portë Shenjte në burg un romak të Rebibbia-s , vend simbol i të gjitha burgjeve nëpër botë, për t'u ofruar të burgosurve një shenjë konkrete afërsie.
Si do të zhvillohet Jubileu
Në dokumentin “Spes non confundit”, Papa Françesku njoftoi se Viti Jubilar do të fillojë me hapjen e Portës Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit më 24 dhjetor 2024, Natën e Krishtlindjes 2024. Dëshmia e parë e këtij riti në Shën Pjetër daton në vitin 1500, gjatë papnisë së Aleksandrit VI.
Më pas, më 29 dhjetor 2024, Papa do të hapë Portën Shenjte të bazilikës së Shën Gjonit në Lateran, katedralja e Romës. Në të njëjtën ditë, në çdo Kishë Katedrale dhe Konkatedrale në mbarë botën do të kremtohet Mesha nga ipeshkvi vendas për të shënuar hapjen e Jubileut 2025.
Në solemnitetin e Marisë, Nënës së Zotit, më 1 janar 2025, Papa Françesku do të hapë Portën Shenjte në bazilikën e Zojës së Madhe, ndërsa ajo në bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve do të hapet të dielën, më 5 janar 2024, vigjilja e festës së Dëftimit të Zotit (Epifanisë). "Gjatë vitit," shkruan në bulë Ati i Shenjtë, "duhet bërë çdo përpjekje për t'i mundësuar Popullit të Zotit të marrë pjesë plotësisht në shpalljen e shpresës në Hirin hyjnor".
Më 28 dhjetor 2025, Jubileu do të përfundojë në Kishat e veçanta në të gjithë botën, me Portat e Shenjta të Shën Gjonit në Lateran, të Shën Marisë së Madhe dhe të Shën Palit jashtë Mureve, që do të mbyllen në atë datë. Së fundi, Viti Jubilar do të përfundojë zyrtarisht në Romë, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit, më 6 janar 2026.