Françesku, Kuries Romake: shenjë e mjet i bekimit të Zotit për njerëzimin
R.SH. / Vatikan
U hap me një denoncim të ri të dhunës në Rripin e Gazës, ku nuk kursehen as fëmijët, fjalimi që Papa Françesku, si çdo vit para Krishtlindjes, sipas një tradite të ndjekur nga të gjithë papët e kohëve të fundit, ua drejton bashkëpunëtorëve të tij më të drejtpërdrejtë të Kuries Romake, mbledhur për të shkëmbyer përshëndetjet për Festat e Krishtlindjes.
Fjalimit të Papës i parapriu përshëndetja e kardinalit Giovanni Battista Re, dekan i Kolegjit të Kardinajve, që u përqendrua tek kjo epokë "në të cilën ndizen zjarret e luftërave" e shihen “çnjerëzime" dhe "tmerre" që i shporojnë zemrat. Fjalët e Kardinalit e nxisin Papën Françesku për të stigmatizuar dhunën e konflikteve, edhe në dritën e lajmit të djeshëm për sulmin ajror izraelit mbi një ndërtesë banimi në qendër të Gazës, ku humbën jetën të paktën shtatë persona, e ndër ta, katër fëmijë. “Kardinali Re foli për luftën: dje - kujtoi - patriarkun (Pierbattista Pizzaballa, red.) nuk e lanë të hynte në Gaza, siç kishin premtuar. Ndërsa fëmijët u bombarduan”:
Kjo është mizori, kjo nuk është luftë. Dua ta them këtë sepse të prek zemrën
Flisni mirë, jo keq, për të tjerët
Papa Françesku, më pas, kaloi në fjalimin e tij. Nëse vitet e fundit ka renditur pesëmbëdhjetë “sëmundjet” kuriale apo vështirësitë në procesin e reformës, korrupsionet dhe tradhtitë brenda qarqeve të vogla e “mundimet” që kaloi jeta e Kishës, për këtë 2024 në përfundim, dhe për Vitin 2025, që do të hapet, Jorge Mario Bergoglio zgjodhi si temë të fjalimit të tij “Të flasësh mirë për të tjerët e të mos flasësh keq”.
Është diçka që ka të bëjë me të gjithë, madje edhe me Papën - ipeshkvijtë, priftërinjtë, rregulltarët, laikët – me që jemi të gjithë të barabartë, sepse prek njerëzimin tonë.
Fleta e një “prifti shenjt” nga Sekretaria e Shtetit të Vatikanit
Françesku citon shkrimin mbi letrën ngjitur në zyrën e "një prifti shenjt" të Sekretarisë të Shtetit: "Puna ime është e përvuajtur, e poshtëruar, poshtëruese". Një këndvështrim ndoshta “pak si shumë negativ”, por me një fund të vërtetë, që të ndihmon në një farë mënyre për të kuptuar metodat dhe funksionimin e punës në atë “ofiçinë të madhe” që është Kuria Romake. Një punë modeste, shpesh e fshehur, në mes të një bashkësie, anëtarët e së cilës heqin dorë nga "të menduarit keq dhe të folurit keq për të tjerët", duke filluar nga kolegët dhe eprorët, dhe në vend të kësaj bëhen "artizanë të bekimit".
Thashethemet e shkatërrojnë jetën shoqërore
Tema, e zgjedhur nga Papa, është në përkim me padinë e "thashethemeve", shprehur prej vitesh, e të përsëritur edhe sot, duke folur lirisht: "Është një e keqe që shkatërron jetën shoqërore, sëmur zemrat e njerëzve dhe të çon në asgjë. Populli e thotë shumë mirë: ‘Thashethemet janë zero!’. Kini kujdes për këtë."
Zejtarë të bekimit
Përtej thashethemeve, "fjala e mirë" është e natyrshme në vetë misionin e Kuries Romake, "ofiçinë e madhe, në të cilën ka shumë detyra të ndryshme", por ku "të gjithë punojnë për të njëjtin qëllim": për të përhapur bekimin e Zotit dhe të Kishës në mbarë botën. Në Kishë, shenjë dhe mjet i bekimit të Zotit për njerëzimin, të gjithë jemi thirrur të bëhemi artizanët e bekimit
Koherenca: nuk shkruhen bekimet e pastaj flitet keq për të tjerët
Në veçanti, Papa flet për "punën e fshehtë të 'minutologut'", i cili "në dhomën e tij përgatit një letër, në mënyrë që të arrijë tek një i sëmurë, një nënë, një baba, një i burgosur, një i moshuar, një fëmijë, lutja dhe bekimi i Papës”. “Dhe çfarë është ky? A nuk nuk quhet zejtar i bekimit?”.
Është bukur të mendosh se me punën e përditshme, veçanërisht me atë më të fshehtën, secili prej nesh mund të kontribuojë për të sjellë bekimin e Zotit në botë, por në këtë duhet të jemi koherentë: nuk mund të shkruajmë bekime dhe pastaj të flasim keq për vëllain ose motrën tonë. Thashethemja e rrënon bekimin.
Virtyti i përvujtërisë
Prandaj flet Papa për "përvujtërinë", për udhën që duhet praktikuar, në mënyrë që bashkësia të jetojë e gëzuar dhe në harmoni. Kuries Papa Bergoglio i bën të njëjtin propozim, që ia pati bërë rreth njëzet vjet më parë në një asamble dioqezane, në Buenos Ajres, atë “të të ushtruarit të padisë së vetvetes”. Mësimet e mjeshtrave të lashtë shpirtërorë, në veçanti të Dorotheut të Gazës, janë të dobishme për këtë: "Po, pikërisht nga Gaza, ai vend që tani është sinonim i vdekjes dhe shkatërrimit, por edhe qytet shumë i lashtë, ku në shekujt e parë të krishterimit lulëzuan manastiret dhe figurat ndriçuese të shenjtorëve dhe mjeshtrave”, nënvizon Papa.
Të akuzosh vetveten!
“Të akuzosh veten është mjet, por i domosdoshëm” - kujton - “është qëndrimi bazë në të cilin mund të zërë rrënjë zgjedhja për t'i thënë 'jo' individualizmit dhe 'po' komunitetit, shpirtit kishtar". Në fakt, “kushdo që e praktikon virtytin e të akuzuarit, dhe e praktikon vazhdimisht, çlirohet nga dyshimi dhe mosbesimi dhe i lë vend veprimit të Zotit”. Edhe kur vëreni një të metë te një person, shton Papa, duke u larguar nga teksti i shkruar, mund të "flisni vetëm me tre veta": me Zotin, me vetë personin, me këdo në bashkësi, që mund të kujdeset për të. "Asgjë më shumë".