Papa: Maria shpëton botën, nuk ka shpëtim pa gruan
R.SH. – Vatikan
Në solemnitetin e Zojës së Papërlyer, që këtë vit përkon me të dielën e dytë të Ardhjes, Papa Françesku kryesoi Meshën në bazilikën e Vatikanit, ku dje krijoi 21 kardinaj, "bartës të një Urtie të vetme me shumë fytyra". Ata morën pjesë në kremtimin e falënderimit, së bashku me Atin e Shenjtë. Gjatë homelisë, Papa u përqendrua në bukurinë e Marisë, "shërbëtore" jo në kuptimin e "së nënshtruarës", por "të vlerësuarës". Jeta e saj mund të merret si shembull edhe sot, sepse është në gjendje të dikojë me dashuri të vërtetë si ambientin familjar, ashtu edhe marrëdhëniet shoqërore dhe kombëtare.
Nuk ka shpëtim pa gruan, Kisha është grua
Françesku përshkoi jetën e Virgjërës Shenjte. Maria, kujtoi, ka një fëmijëri, që nuk tregohet nga tekstet e shenjta. Megjithatë, pikërisht në këtë anonimitet - që në Ungjij i hap rrugën përmendjes së një jete të pasur me fe, të përvuajtur e të thjeshtë, gjithë harmoni e çiltërsi - refleksi i dashurisë së Zotit lulëzon dhe rrezatohet shumë përtej fshatit të panjohur të Nazaretit. Zoja është "një lule e rritur pa u vënë re".
Një bijë me "zemër të pastër" e me "parfumin e shenjtërisë". Jeta e Marisë është dhurim i vazhdueshëm i vetvetes. Si nuse, ajo quhet "shërbëtorja e Zotit"; por këtu Papa deshi të sqaronte: "Shërbëtore" jo në kuptimin "e nënshtruar" dhe "e poshtëruar", por në kuptimin e njeriut "të besuar", "të nderuar", të cilit Zoti i beson thesaret më të dashura dhe misionet më të rëndësishme. E më pas, Ati i Shenjtë nënvizoi, duke dalë jashtë tekstit zyrtar:
“Këtë thotë Koncili II i Vatikanit: Zoti e zgjodhi Marinë, zgjodhi një grua si shoqëruese për planin e tij të shpëtimit. Nuk ka shpëtim pa gruan, sepse edhe Kisha është grua”.
Zënia e Papërlyer nuk është doktrinë abstrakte a ideal i pamundur
Amësia e Marisë, që u ka ngjallur shumë interes artistëve në historinë e Kishës, nuk bën tjetër veçse larton të Birin, Jezu Krishtin. Me zemër të lirë nga mëkati dhe me bindje ndaj Shpirtit Shenjt, shtatzania e Zojës së Papërlyer, vërejti Papa, është e bukur, sepse ajo di “të vdesë” për të dhuruar jetën, "duke e lënë mënjanë vetveten që të kujdeset për atë që, krejt i vogël dhe i pambrojtur, shtrëngohet pas saj". Megjithatë, Maria është një figurë, që mishëron një bukuri jo të paarritshme.
“Zënia e Papërlyer atëherë nuk është mit, as doktrinë abstrakte apo ideal i pamundur: është propozimi i një projekti të bukur dhe konkret, modeli plotësisht i realizuar i njerëzimit tonë, përmes të cilit, me Hirin e Tënzot, ne të gjithë mund të kontribuojmë për ta përmirësuar botën”.
Bukuria e Marisë e shpëton botën, që mendon se mund të jetojë pa Zotin
Bukuria e Marisë e “shpëton botën", prandaj duhet të na pushtojë dhe të na kthejë në fe, uroi Pasardhësi i Pjetrit. Bukuri, që na dëshmon se familjet janë vende shkëmbimi dashurie, se prindërit janë "të pranishëm me mish e shpirt për fëmijët e se fëmijët marrin shembull nga baballarët e tyre". Nëse ky stil përvetësohet, atëherë mund të lindin qëndrime plot çiltërsi, solidaritet, ndjeshmëri dhe harmoni, të cilat prekin të gjitha fushat e jetës, ku njerëzit, shpesh, mendojnë se mund t’ia dalin vetëm me forcat e veta, pa Zotin, madje, duke kujtuar se mund ta zëvendësojnë Atë, theksoi Papa, gjë që i hap plagë njerëzimit e nuk sjell as dashuri e as lumturi.
Ç’dobi kanë paratë nëse gjysma e botës vdes?
Ati i Shenjtë rreshtoi një sërë situatash kritike: "Kush e ekzalton si fitore refuzimin e çdo lidhjeje të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, në të vërtetë, nuk jep liri. Kush nuk respekton babain e nënën, kush nuk do fëmijë, kush i konsideron të tjerët si objekt a bezdi, kush e konsideron shkëmbimin ndërmjet njëri-tjetrit si humbje dhe solidaritetin si varfërim, nuk përhap gëzim, as të ardhme”. Së fundi, siç bën shpesh, Papa ngriti disa pyetje, duke vënë në dukje kontradiktat e dukshme të shoqërisë bashkëkohore:
“Ç’dobi kanë paratë në bankë, rehatia e apartamenteve, “kontaktet” e rreme të botës virtuale, nëse zemrat mbeten të ftohta, bosh, të mbyllura? Çfarë duhen nivelet e larta të zhvillimit financiar në vendet e privilegjuara, nëse gjysma e botës vdes nga uria dhe lufta, ndërsa të tjerët rrinë e shikojnë indiferentë? Ç’dobi ka të udhëtojmë në gjithë planetin, nëse pastaj, çdo takim reduktohet në emocionin e një çasti, në një fotografi, që askush nuk do ta kujtojë më pas pak ditësh apo pas disa muajsh?”