Kërko

Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin

Parolin: Papa, në Ajaccio, do të kërkojë lutje, drejtësi dhe përgjegjësi

Një udhëtim në gjurmët e traditës së krishterë, të dëshmisë dhe të takimit. Kështu pohon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në prag të udhëtimit të 47-të apostolik të Françeskut, në Korsikë. “Imagjinoj – nënvizon prelati – që Ati i Shenjtë do të ripohojë se ‘Mare Nostrum’ (Mesdheu) nuk duhet të jetë ‘Cimeterium Nostrum’ (Varrezë) për ata që kërkojnë një të ardhme më të mirë, duke rrezikuar jetën”

R.SH. – Vatikan

Massimiliano Menichetti

         Përgatitjet përfundimtare në Ajaccio, qyteti kryesor i Korsikës, që nesër do të përqafojë Pasardhësin e Pjetrit, Papa i parë që viziton ishullin francez në qendër të Mesdheut. Ipeshkvi vendas, kardinali François Bustillo, nënvizoi se prania e Françeskut "nuk është privilegj, por përgjegjësi". Do të jetë një vizitë e shkurtër, që zgjat rreth dymbëdhjetë orë, por shumë intensive dhe e karakterizuar nga bukuria dhe gjallëria e përshpirtërisë popullore, nga temat e takimit, mikpritjes dhe kujdesit për krijimin.

Pyetëm Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin, i cili do ta shoqërojë Atin e Shenjtë në këtë udhëtim, si mund ta interpretojë bashkësia vendase "përgjegjësinë" për veprime konkrete, si në planin shpirtëror, ashtu edhe në atë shoqëror…

Ky udhëtim i Atit të Shenjtë bëhet në zemër të Kohës së Ardhjes dhe në afërsi me hapjen e Jubielut 2025, prandaj, mund ta shohim në kuadrin e këshillës së Shën Palit apostull drejtuar Titit që «... të jetojë në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lume dhe Ardhjen e lavdisë së të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit... Për këto gjëra fol, këto porositi dhe qorto me çdo pushtet!” (2,12-15). Papa, me praninë e tij në Ajaccio, synon të kujtojë pikërisht këtë thirrje dhe këtë përgjegjësi, të cilën Kisha vendase - ipeshkvi, meshtarët, diakonët, murgeshat, rregulltarët dhe të gjithë njerëzit e përfshirë në nivele të ndryshme të jetës kishtare - do të gjejë një mënyrë për ta interpretuar me gjeste dhe veprime konkrete. Më duket se vendimet praktike duhet të frymëzohen pikërisht nga ato tre qëndrime themelore të kujtuara nga Shën Pali, karakteristike për jetën dhe dëshminë e të krishterit në botë: të sillet me maturi, drejtësi dhe përshpirtmëri. Me fjalë të tjera, përgjegjësia duhet të nënkuptojë kthesën personale dhe komunitare, kthim për ta orientuar shpirtin drejt Zotit që vjen, për të realizuar "mrekullinë" e një jete të re, një shoqërie të re dhe një bote të re.

Hirësi, Papa do të mbyllë konferencën për përshpirtërinë popullore në Mesdhe, në të cilën marrin pjesë ipeshkvij nga kombe të ndryshme. Është mundësi unike për dialog dhe unitet. Ç’fryte prisni nga ky takim, me në qendër fenë e rrënjosur në traditë, por edhe krahëhapur për ungjillëzimin?

Ne e dimë sa i rëndësishëm është dialogu për Papën Françesku, ajo "kulturë e takimit", në kërkim të unitetit dhe të harmonisë më të madhe ndërmjet bashkësive, Kishave, besimtarëve, vendeve dhe kombeve... gjithçka për të cilën Zoti ynë Jezu Krishti dha jetën: "kështu që ata të jenë plotësisht një, që bota ta dijë se ti më dërgove dhe se i deshe ata sikurse më deshe mua” (Gjn 17,23). E, edhe sa e rëndësishme është për të feja popullore! Mbi këto dy koordinata themelore zhvillohet Konferenca dhe pikërisht në këto dy pika synon të japë fryte. Dëshiroj t'ju kujtoj – lidhur me përshpirtërinë popullore - atë që shkruan Ati i Shenjtë në kapitullin mbi shpalljen e Ungjillit në Nxitjen Apostolike “Evangelii Gaudium” (nn. 122-126). Ai na thotë se përshpirtëria popullore është forcë ungjillëzuese, fsheh një fe të thellë, që shprehet më shumë simbolikisht sesa racionalisht, por jo pa përmbajtje teologjike. Në fund të fundit, Papa Françesku na fton të shohim te nëna, që thotë rruzaren për fëmijën e saj të sëmurë, te procesionet dhe shtegtimet, te lutja spontane drejtuar shenjtorëve, ose të Kryqëzuarit, te përkushtimi ndaj Zojës në shenjtërore... gjeste misionare sa të vogla, aq të mëdha, të cilat dëshmojnë për një dashuri e besim të madh te Krishti i Kryqëzuar dhe i Ringjallur.

Në fund të udhëtimit, Papa do të takohet me presidentin francez Macron në aeroport. Çfarë çështjesh mendoni se mund të jenë argument i bisedës, në kohë kaq të ndërlikuara historike, shënuar nga luftëra?

Nuk di të them tani se cilat çështje do të jenë në qendër të takimit të Atit të Shenjtë me Presidentin e Republikës, por mendoj se tema e paqes do të jetë vendimtare. Pak ditë para Krishtlindjes, pra, lindjes së Princit të Paqes dhe në rrethanat aktuale të botës, paqja do të jetë sigurisht mendim mbizotërues. Gjithashtu, dihet sa respekti për jetën e njeriut, që nga zënia e deri në fundin e saj të natyrshëm, i intereson jashtëzakonisht Kishës Katolike, e cila nuk ngurron të flasë me krerët e shteteve, edhe kur e di se mund të mos u pëlqejë. Sipas këshillës së Palit drejtuar Titit: " Për këto gjëra fol, këto porositi dhe qorto me çdo pushtet!" Takimi do të zhvillohet në aeroportin e Ajaccio-s, pra në qendër të Mesdheut. Imagjinoj se Ati i Shenjtë do të ripohojë se ‘Mare Nostrum’ (Mesdheu) nuk duhet të jetë ‘Cimeterium Nostrum’ (Varrezë) për ata që kërkojnë një të ardhme më të mirë, duke rrezikuar jetën. Shtrohet gjithnjë çështja si t’i mirëpresim, si vëllezër e motra, ata që trokasin në derë dhe që shpesh marrin pjesë në ndërtimin e jetës shoqërore dhe ekonomike të vendeve tona, duke pranuar kështu talentet dhe energjitë e tyre. Ky qëndrim na lejon të vendosim rregulla, të kërkojmë respektimin e ligjeve dhe të ekuilibrave tona shoqërore e kulturore, por edhe të punojmë me vendet nga nisen migrantët, në mënyrë që fëmijët e tyre të qëndrojnë dhe të gjejnë atë, që u nevojitet për të jetuar me dinjitet, si qytetarë.

         Françesku do të takohet me klerin dhe do të kremtojë një meshë gjatë vizitës. Çfarë mesazhesh prisni që Papa t'u drejtojë meshtarëve dhe laikëve?

Në përgjithësi, dhe sidomos në udhëtimet apostolike, Ati i Shenjtë është veçanërisht i vëmendshëm ndaj historisë së njerëzve që ka përpara, ndaj kulturës së tyre, ndaj pyetjeve, shpresave dhe vuajtjeve, që secili mbart në zemrën e vet. Në këtë kuptim, qëndrimi më i mirë i të gjithëve është të mos “presim” diçka sipas shijeve tona, por të mirëpresim fjalën e tij, të dëgjojmë mësimet e tij, që na ndihmojnë përgjatë udhës. Sigurisht, duke qenë në zemër të Evropës, Papa Françesku nuk do të mungojë të inkurajojë dhe të mbështesë, me afërsinë e tij, impenjimin apostolik të Kishës - meshtarë e laikë - duke e nxitur si botën besimtare, ashtu edhe institucionet civile e politike, të dialogojnë dhe të punojnë për të mirën e përbashkët të shoqërisë, sidomos për të mirën e më nevojtarëve.

14 dhjetor 2024, 15:32