Biden ndryshon 37 dënime me vdekje në burgim të përjetshëm Biden ndryshon 37 dënime me vdekje në burgim të përjetshëm

Biden ndryshon 37 dënime me vdekje në burgim të përjetshëm. Ditët e fundit, thirrja e Papës

Presidenti në largim i SHBA-së njofton se të dënuarve me vdekje në burgjet federale do t'u riklasifikohet dënimi, nga ekzekutim në burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht. Papa Françesku, i cili pati një bisedë telefonike me liderin amerikan ditët e fundit, pati kërkuar lutje për të burgosurit në korridorin e vdekjes në Amerikë. Thirrje, e mbështetur nga ipeshkvijtë amerikanë dhe shoqatat humanitare

R.SH. – Vatikan

Lutja e Papës gjeti përgjigje. Tridhjetë e shtatë burrave dhe grave të dënuar me vdekje në SHBA do t'u ndryshohen dënimet nga ekzekutim në burgim të përjetshëm. Këtë njoftoi sot, më 23 dhjetor, presidenti në largim i SHBA-së, Joe Biden, në prag të Krishtlindjes dhe të hapjes së Jubileut. Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë, këtyre personave do t'u riklasifikohet dënimi me burgim të përjetshëm, pa mundësinë e lirimit me kusht.

Nota e Shtëpisë së Bardhë

Në notën e Shtëpisë së Bardhë, ku nënvizohet që Biden "beson se Amerika duhet ta ndalojë përdorimin e dënimit me vdekje në nivel federal, me përjashtim të rasteve të terrorizmit dhe të vrasjeve masive të motivuara nga urrejtja", shpjegohet se "ky veprim historik mëshire bazohet në reformën e presidentit për drejtësinë penale”. Në fillim të dhjetorit, Biden pati njoftuar uljen e dënimit për rreth 1.500 amerikanë, që "kanë dëshmuar rehabilitim të suksesshëm dhe angazhim për t'i bërë bashkësitë më të sigurta". Ndër ta, 39 falje për individë të dënuar për krime jo të dhunshme.

“Mos e kuptoni gabim: unë i dënoj këta vrasës, pikëllohem për viktimat e akteve të tyre të neveritshme, si edhe për të gjitha familjet, që kanë pësuar humbje të paimagjinueshme dhe të pariparueshme”, pohon Biden në notën, që bën të ditur vendimin. “Por i udhëhequr nga ndërgjegjja dhe përvoja... jam më i bindur se kurrë se duhet ta ndalojmë përdorimin e dënimit me vdekje në nivel federal. Me ndërgjegje të pastër, nuk mund ta lejoj administratën e re të rifillojë ekzekutimet, që unë i ndalova”.

Premtimi i Donald Trump për të rifilluar ekzekutimet

Vendimi i Biden për të zbutur dënimet me vdekje nuk mund të anulohet nga pasardhësi i tij, pavarësisht nga premtimi i Donald Trump për të rifilluar ekzekutimet në nivel federal, pas hyrjes në fuqi si president, në janar 2025. Në mandatin e tij të mëparshëm, Trump rifilloi ekzekutimet federale pas një moratoriumi gati njëzetvjeçar; vendim i ndryshuar nga Biden kur mori detyrën. Gjithsesi, edhe në rastin e sotëm, në listën e presidentit në largim nuk përfshihen tre të burgosur të dënuar për terrorizëm dhe vrasje masive të motivuara nga urrejtja dhe as më se 2200 të burgosur të dënuar me vdekje në nivel shtetëror, mbi të cilët presidenti nuk ka asnjë autoritet.

Thirrjet e Papës Françesku

Papa Françesku ka bërë shpesh thirrje për shfuqizimin e dënimit me vdekje, edhe në Mesazhin e tij të fundit për Ditën Botërore të Paqes 2025. Në fillim të këtij muaji, gjatë Engjëllit të Tënzot në festën e Zojës së Papërlyer, Ati i Shenjtë kërkoi lutje për të burgosurit e dënuar me vdekje në SHBA: "Të lutemi që dënimet e tyre të ulen, ose të ndryshohen", theksoi ai. "Të mendojmë për këta vëllezër dhe motra dhe t'i kërkojmë Zotit hirin që t'i shpëtojë nga vdekja". Thirrja e Françesku u ndoq nga një telefonatë e gjatë me Joe Biden, më 19 dhjetor.

Edhe ipeshkvijtë e SHBA-së kanë bërë vazhdimisht thirrje që Biden të zbusë dënimet federale të të dënuarve me vdekje, duke u bërë jehonë kërkesave të organizatave katolike si Rrjeti Mobilizues Katolik dhe grupe të tjera fetare dhe humanitare.

 

23 dhjetor 2024, 14:10