Çelësi i fjalëve të Kishës: drita e amshimit, që na i hap sytë

Dëshmitarët e fesë e mjeshtrat shpirtërorë na ndihmojnë në këtë Kohë të Ardhjes të përgatitemi për lindjen e Birit të Zotit. Sot vargjet e poeteshës amerikane Emily Dickinson për të zbuluar vetveten

R.SH. – Vatikan

Ndër meritat - nëse mund t'i quajmë kështu - të lidhura me Krishtlindjen që vjen, është ftesa për t’i vënë gjërat në vendin e tyre, për të parë ku e kemi vërtet shpirtin e çfarë na mungon. Kemi mundësinë të kuptojmë më mirë ndryshimin e gjërave, që kanë vërtet shumë rëndësi, nga ato, që vlejnë vlen më pak. Vërtet, festa e Zotit, që bëhet njeri, na bën të reflektojmë mbi ndikimin e jetës shpirtërore, të cilën, nganjëherë, gjatë kohës së zakonshme të vitit, e lëmë në plan të dytë, duke harruar sa themelore është ajo për të na zhvilluar si gra e burra të denjë për të qenë njerëz. Sepse vetëm duke dalë nga vetvetja, vetëm duke lënë mënjanë siguritë e veta, shpjegojnë mistikët, njeriu mund t’i zgjerojë kufijtë e zemrës, duke e lënë të bëhet strehë, ku banon Ati Qiellor, që zbret mbi të nga lart.

Një zë veçanërisht i frymëzuar, i cili na ndihmon për këtë, është ai i poeteshës së mirënjohur amerikane Emily Dickinson (1830-1886), e cila me tone të lehta, por shumë të thella, na tregon se çfarë duhet bërë për të mësuar si të jetojmë në plotësi, na shpjegon se si një fjalë e re ia hapi veshët për zërin e zemrës, se si sytë e saj u shndritën nga një dritë amshimi.

“Dëgjoja, sikur të mos kisha veshë

Derisa një Fjalë e Gjallë

Arriti tek unë nga Jeta

Atëherë, dëgjova e jo përrallë.

 

Shikoja, sikur sytë e mi të ishin

Të një tjetri, derisa Diçka

E tani e di se ishte Drita, sepse

U përshtatej syve përsosur, shndriti gjithçka.

 

Jetoja sikur të mos isha në vete,

Vetëm trupi në këtë botë

Derisa një Forcë më shkundi

E jetën ma bëri të plotë

 

E Shpirti i foli pluhurit

"Mik i vjetër, ti më njeh mirë"

E Koha doli për të shpallur Lajmin

E takoi Amshimin, për hir.

(Titulli origjinal i poezisë së përkthyer lirisht: I heard, as if I had no Ear)

19 dhjetor 2024, 10:08