Halebi, Siri Halebi, Siri

Kryeipeshkvi maronit i Halebit: Siria e re të jetë shtet, që i respekton të gjithë

Imzot Joseph Tobji ka fjalë shprese për vendin në tranzicion politik: të krishterët dëshirojnë të japin kontributin e tyre në ndërtimin e një shteti civil e demokratik, ku të gjithë të kenë vendin e vet

R.SH. – Vatikan

Në Siri ka një gjendje qetësie relative, pas ngjarjeve të dhjetë ditëve të fundit, që çuan në rënien e Bashar al Asadit, me dhjetëra mijëra njerëz derdhur në rrugë për të festuar fundin e një regjimi 54 vjeçar, por të flasësh për paqen është e parakohshme. Vetëm 48 orët e fundit, ka pasur 75 bastisje nga ushtria izraelite në vendin e Lindjes së Mesme, me qëllimin – sipas deklaratave të Izraelit – për të çmilitarizuar territorin sirian. Bastisjet u dënuan nga Irani e Turqia, ndërsa Moska kërkoi që Tel Avivi të largohet menjëherë nga Lartësitë e Golanit.

Urgjente të qetësohet vendi

Kryeipeshkvi i maronitëve të Halebit, imzot Joseph Tobji, duke folur për mediat e Vatikanit, pohon nevojën që të gjitha grupet e vendit të bëjnë përpjekje për stabiliziminin e tij, gjë e rëndësishme sidomos në frontin humanitar. “Nga pikëpamja e sigurisë - pohon prelati - jemi mjaft të qetë tani, ka ende luftime dhe dhunë, por jo këtu në Haleb. Ka akte të paligjshme, por janë të izoluara, ndoshta Damasku është qyteti me gjendje më të keqe. Fatkeqësisht, armët përdoren ende, nuk e dimë nga kush, sepse këtu ka disa grupe rebelësh, përveç atyre të Hajat Tahrir al-Sham (HTS), besnikë të Al Jolanit, i cili udhëhoqi revolucionin dhe dekretoi rënien e presidentit Asad. Armët i kanë edhe fëmijët e kjo është diçka, që nuk duhet të ndodhë kurrë: të shohësh fëmijë me armë është e tmerrshme. E di që grupi i Hajat Tahrir al-Sham po bën marrëveshje me milicitë e tjera të pranishme në Siri, prandaj kemi shpresë që gjithçka të përfundojë paqësisht, që të merren vesh, por ende nuk mund të flasim për një vend të sigurt dhe paqësor”.

Të ecim me kujdes

Lidhur me premtimet e këtij grupi, imzot Tobji vëren se fjalët e deritanishme "na japin shpresë" dhe se, tani për tani, fjalët janë ndjekur nga veprat. “Sillen mirë – thekson ai – me respekt dhe nuk ka asnjë formë përndjekjeje. Na patën thënë se do të na lënë të qetë, përfshirë edhe pakicat dhe duket se kështu po bëjnë edhe me ne, të krishterët. Megjithëse grupi është islamik, nuk janë fundamentalistë, ose të paktën nuk janë fanatikë, prandaj nuk po e imponojnë ligjin islam, gratë nuk duhet të mbulohen. Parimi i tyre i parë – e këtë na e kanë thënë disa herë – është ta lënë gjithçka si më parë, pa ndryshime të mëdha në jetën shoqërore, pa imponime.

Kam shumë shpresa për të ardhmen e Sirisë – shton kryeipeshkvi maronit i Halebit - por tani nuk mund të jem as shumë optimist, as shumë pesimist, duhet të ecim me kujdes dhe të shikojmë se çfarë ndodh dita-ditës. Edhe kryeministri i përkohshëm Mohammed Al-Bashir i bëri premtime të mëdha Perëndimit - është e vërtetë - deklaroi se do të mbrojë pakicat, gratë, fëmijët, shfuqizoi agjencitë e antiterrorizmit, tha se do të rivendosë drejtësinë në fronte të ndryshme. Mendoj se nuk është thjesht një formë propagande, besoj se ai dëshiron ta bëjë këtë, sepse tani, e gjithë bota po shikon nga Siria dhe pa disa kushte, shteti nuk do të njihet, por, po e përsëris, është e vështirë të kuptohet si do të veprojnë”.

Të ndërtohet një vend civil dhe demokratik

Imzot Tobji kërkon me forcë përfshirjen e të krishterëve në këtë fazë: "Tani na takon neve, sirianëve të krishterë, të japim kontributin tonë në jetën politike dhe shoqërore, nuk duam të konsiderohemi 'të klasit të dytë', duam të na konsiderojnë partnerë, siç thonë ata. Problemi është se nuk jemi të përgatitur mirë për jetën politike, pas 53-54 vitesh qeverisje totalitare, në të cilën të tjerët mendonin, flisnin dhe vepronin për ne, që nuk kishim kurrë zë në kapitull: është risi, nuk jemi të përgatitur për politikë, por është sfidë e madhe për të ardhmen dhe nuk mund të mos e pranojmë. Çka duhet të bëjmë në të ardhmen e afërt, ose më saktë menjëherë, është të hedhim themelet për ndërtimin e një shteti civil, me një politikë që shikon nga e mira, me parime që i respektojnë të gjithë, por ne të krishterët duhet të japim kontributin tonë dhe vërtet besoj se jemi të thirrur të jemi guri i ekuilibrit në peshoren e kësaj politike të re”.

Misioni i Kishës: të jetë pranë njerëzve

Imzot Tobji falënderon edhe ipeshkvijtë evropianë për mbështetjen, solidaritetin dhe afërsinë e tyre, shprehur në një letër të Comece-së (Komisioni i Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian), nënshkruar nga kryetari, imzot Mariano Crociata. “Është e rëndësishme për ne të mos ndihemi vetëm e falënderojmë edhe Papën për thirrjet e tij në favor të tranzicionit paqësor të pushtetit. Siria do t'ia dalë, ne jemi popull që rezistojmë. Kemi kaluar 13 vite lufte civile, si edhe tërmete, koronavirus, zi buke... Nuk dua të them se jemi mësuar me katastrofa, se është e pamundur të mësohemi me to, por feja nuk na braktis, jemi të sigurt se Zoti është me ne. Gjatë viteve, njerëzit vinin e më pyesnin 'Ku është Zoti?'. Kjo është detyra e Kishës: t’u qëndrojë pranë njerëzve dhe të forcojë fenë, shpresën e dashurinë”.

18 dhjetor 2024, 10:51