Kard. Pizzaballa mes të krishterëve të Gazës: "Bota është me ju, që sillni dritën e Krishtit"
R. SH. - Vatikan
“E gjithë bota është me ju” – këto, fjalët e para të Patriarkut të Jeruzalemit, Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, sot në mëngjes, në famullinë e Familjes së Shenjtë në Gaza, bashkësi e vogël e krishterë e Rripit, strehuar në kompleksin e famullisë për më shumë se 14 muaj. Ishte drita e parë e agimit kur Patriarku u largua nga Jeruzalemi dhe më pas hyri në Gaza, i shoqëruar nga ushtarët izraelitë, përmes kalimit Eretz.
Vizitë e pritur me drithërimë nga besimtarët, që shpresonin t’i kremtonin Krishtlindjet me ipeshkvin e tyre, në një atmosferë, të paktën për një ditë, qetësie dhe gëzimi. Është hera e dytë që Kardinali Pizzaballa hyn në Gaza dhe viziton bashkësinë e famullitarit Gabriele Romanelli, pas takimit të 16 majit. Për të garantuar sigurinë maksimale përgjatë rrugës, data e vizitës caktohet vetëm pas mbërritjes në bashkësi.
Ardhja e Kardinalit Pizzaballa
Bota është me të krishterët e Gazës
Kardinali Pizzaballa kryesoi më pas Meshën, kremtuar me petka të bardha në pritje të gëzimit të Krishtlindjes. Gjatë Meshës ai u dha disa të rinjve sakramentin e Krezmimit. Gjatë predikimit, Patriarku përgëzoi rezistencën e bashkësisë së krishterë: “Ju jeni drita e Kishës sonë dhe Krishtlindja është pikërisht festa e Dritës”, se Drita është Jezusi, e se “Jezusi që të mos e harroni kurrë, është këtu, me ju". "Ne jemi krenarë për ju - vazhdoi Kardinali – e jo për ndonjë gjë të veçantë, por sepse keni mbetur këta që jeni: të krishterë me Jezusin". Dhe përsëri: "Ashtu si të gjithë njerëzit e botës, e jo vetëm të krishterët, janë me ju, kështu edhe ju mund t’i jepi diçka botës, që ju shikon: dhurojani të gjithëve dritën e Krishtit me shembullin tuaj”.
Hyrja në Betlehem
Pas kësaj vizite në Gaza, pasnesër, në prag të Krishtlindjes, Patriarku do të bëjë hyrjen solemne në Betlehem, ku do të pritet nga një tjetër bashkësi e vuajtur dhe do të kremtojë Meshën e Natës së Krishtlindjes në Kishën e Shën Katerinës.