Pasia e Zojës, Giotto, Bazilika e poshtme e Shën Françeskut të Asizit, Itali Pasia e Zojës, Giotto, Bazilika e poshtme e Shën Françeskut të Asizit, Itali

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së 4-të Ardhjes: "Bekuar je ti mbi të gjitha gratë”

Si të përgatitemi,o Jezus,/për festën e lindjes Tënde,/që tashmë, troket në derë?/Me të njëjtën gatishmëri,/me të njëjtin besim/me të njëjtin gëzim/si Maria, Nëna jote./ Edhe neve, Ti vazhdon/të na dërgosh shenja:/bëj që të dimë/t’i kërkojmë e t’i njohim/të gëzohemi për gjithçka/Ti dikon në ne e përreth nesh./Bëj të lëshohemi plot besim/në duart e në fjalën tënde/ duke ndjekur planin tënd të dashurisë.

R.SH. - Vatikan

Ungjilli i së dielës IV dhe të fundit të Kohës së Ardhjes na paraqet dëshminë e Elizabetës, dëshmia më e lashtë e nderimit të Marisë, Nënës së Jezusit Zot. Kreu I i Shën Lukës (39-45) na zbulon si u realizua ardhja e Mesisë dhe cili është misteri i shëlbimit, që përmbahet në të. Gjithçka zhvillohet rreth Marisë e, edhe prania e saj krah Elizabetës, ndikon mrekullueshëm mbi të e mbi fëmijën. Të dy mbushen me Shpirtin Shenjt. Të ndjekim pjesën ungjillore të kësaj së diele nga Luka

Ndër ato ditë, Maria u nis me nxitim për krahinën malore në një qytet të Judës. Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe e përshëndeti Elizabetën. Tashti, posa Elizabeta e dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në kraharorin e saj.Elizabeta u mbush me Shpirtin Shenjt dhe brohoriti me zë të lartë: “Je më e bekuar se të gjitha gratë dhe i bekuar është fryti i kraharorit tënd! Dhe, nga e pata fatin të vijë tek unë nëna e Zotit tim? Ja, se, posa zëri i përshëndetjes sate arriti në veshë të mi, foshnja prej hareje kërceu në kraharorin tim. E lumja ti që besove se do të plotësohet çka të qe thënë prej Zotit!” Atëherë Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim, sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë:po, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur.

Të lutemi së bashku

Si të përgatitemi, o Jezus,

për festën e lindjes Tënde,

që tashmë, troket në derë?

 

Me të njëjtën gatishmëri,

me të njëjtin besim

me të njëjtin gëzim

si Maria, Nëna jote.

 

Edhe neve, Ti vazhdon

të na dërgosh shenja:

bëj që të dimë

t’i kërkojmë e t’i njohim

të gëzohemi për gjithçka

Ti dikon në ne e përreth nesh.

Bëj të lëshohemi plot besim

në duart e në fjalën tënde

duke ndjekur planin tënd të dashurisë.

 

Edhe neve, Ti na kërkon

të besojmë e të veprojmë,

të përshkojmë udhën drejt

dikujt, që ka nevojë për ne:

për solidaritetin tonë,

për dëgjimin tonë,

për mirësinë tonë,

për ndihmën tonë.

 

Edhe neve, Ti na e çliron gojën,

që të shpallim me mirënjohje,

praninë dhe veprat e tua,

që të bekojmë emrin tënd

e të gjithë ata, që i bëre

protagonistë të një plani

ngushëllimi e shprese,

mëshire e paqeje.

21 dhjetor 2024, 09:55