Francesku: loja me gjyle, lojë e shëndetshme e "miqësisë shoqërore"

Në përshëndetjen për përfaqësuesit e Federatës Italiane të sektorit, Papa shpreh simpatinë për një disiplinë "ndoshta pak jashtë modës", por e lidhur me jetën e përbashkët të "botës rurale" dhe të bashkësive famullitare: është sporti i qetë, "alternativë në krahasim me makinën e madhe të biznesit sportiv"

R.SH. – Vatikan

“E pranoj, më pëlqen shumë loja me gjyle”. Papa Françesku nuk e fsheh pasionin e tij, gjatë pritjes së përfaqësuesve të Federatës Italiane kushtuar kësaj disipline sportive, të cilët i përshëndeti sot, më 20 dhjetor, në Sallën Klementine. Loja me gjyle ka pothuaj të njëjtat rregulla si loja me birila e luhet shpesh jashtë, në ajër të pastër. Zakonisht shihet si lojë për të moshuarit, por ndiqet edhe nga më të rinjtë, sidomos kur konsiderohet si disiplinë sportive, që ka kampionatet e garat e veta.

Një sport për "njerëz normalë"

Arsyeja e parë e “simpatisë” së Papës, siç shpjegoi ai vetë, qëndron në natyrën e këtij sporti, rreth të cilit nuk xhirojnë aq para sa në sportet e tjera, me kontrata milionere e me “yje”, që mbushin mediat. Loja me gjyle, vuri në dukje Ati i Shenjtë, luhet nga “njerëz normalë”, duke filluar nga “punëtori” te “mësuesi” e duke kaluar nëpër “hidraulikun”. Të gjithë të bashkuar nga pasioni për një praktikë "ndoshta pak jashtë modës", por e pasur "me humanizëm".

Argëtim "i shëndetshëm dhe i qetë"

Arsyeja e dytë është lidhja ndërmjet lojës me gjyle dhe "një lloji të caktuar shoqërie, miqësie shoqërore". Papa e përshkroi këtë disiplinë në realitetet rurale të së shkuarës, ku "kudo", edhe në bashkësitë famullitare, njerëzit mblidheshin për të "kaluar kohë në shoqëri", me këtë "argëtim të shëndetshëm dhe të qetë". Françesku nënvizoi se ky sport mund të praktikohet nga të gjithë, jo vetëm nga burra, por edhe nga gra, të rinj dhe "shumë njerëz me aftësi të kufizuara". Ati i Shenjtë e nxiti Federatën ta bëjë të dukshëm këtë sport, që është "alternativë ndaj makinës së madhe të biznesit sportiv". Një disiplinë, “që ende mban erë ‘lojë’ dhe shoqëri të mirë”.

20 dhjetor 2024, 12:16