Skena e Lindjes së Krishtit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan Skena e Lindjes së Krishtit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan

Atë Pasolini: madhështia e Zotit është vogëlsia, gjest i përvuajtur, që hap takimin

Sot në paradite, në Sallën Pali VI, meditimi i tretë dhe i fundit drejt Krishtlindjes nga predikatari i Shtëpisë Papnore, me temën e vogëlsisë e cila nuk është kufi, por përvujtëri, që çel hapësira takimi. Shëmbëlltyra e Gjyqit të Mbram: në fund, do të gjykohemi jo vetëm për të mirën që bëmë, por, sidomos, për aftësinë për t’u bërë të vegjël

R.SH. / Vatikan

Krishtlindja e Birit të Zotit, Atij që në fillim ishte Fjala e që bëhet i vogël dhe i brishtë si foshnjë, që ende nuk flet: forca dhe madhështia e vogëlsisë përmbahen tërësisht këtu. Atë Roberto Pasolini, françeskan kapuçin, predikatar i Shtëpisë Papnore, e nënvizon këtë në meditimin e tij të tretë dhe të fundit të kohës së Ardhjes, propozuar Kuries Romake sot, 20 dhjetor, në Sallën Pali VI. Tema e zgjedhur për të tre reflektimet është “Dyert e shpresës. Drejt hapjes së Vitit të Shenjtë përmes profecisë së Krishtlindjes”.

Masa e fshehur e madhështisë së vërtetë të Zotit

Pasi u përqendrua - në dy predikimet e para më 6 dhe 13 dhjetor - në portat e habisë dhe fesë, predikatari tani na nxit të kalojmë pragun "e vogëlsisë": çelësi për të hyrë në Mbretërinë e Zotit - kujton - nuk është kufi apo mungesë, por forcë “e përulur dhe e heshtur” si ajo e farës, e cila nga errësira e tokës mbin dhe rritet. Masa e fshehur e madhështisë së vërtetë të Zotit, Atij që me besim e ul veten në nivelin e tjetrit, për ta shoqëruar në rritjen e tij, është "parametri" i Zotit, është "vendi ku mund të jenë zgjedhjet dhe premtimet e Tij e edhe “një zgjedhje e vetëdijshme, e drejtuar nga “dëshira për të krijuar marrëdhënie të vërteta, ku tjetrit i njihet e drejta për të ekzistuar, për të marrë frymë, për t’u shprehur lirisht”. Në këtë kuptim, të jesh i vogël do të thotë të krijosh “hapësira takimi, duke i lejuar secilit të jetë vetvetja, pa dalë mbi tjetrin, a duke i përbuzur veçoritë e tij”.

Para se të bësh mirë, duhet të bëhesh i vogël

Për të thelluar më tej këtë tipar delikat dhe vendimtar të Zotit, Atë Pasolini bën një rilexim të kujdesshëm dhe të ri të shëmbëlltyrës së gjykimit përfundimtar, të rrëfyer nga Shën Mateu ungjilltar(25, 31-46): teksti na kujton se, në fund të kohës, Zoti do ta gjykojë njerëzimin sipas “parametrit” të dashurisë vëllazërore. Por, në kuptimin e saj më të thellë - shpjegon predikatari - shëmbëlltyra na kujton se një ditë të gjithë popujt, edhe ata që nuk janë ungjillëzuar, do të mund të hyjnë në Mbretërinë e Hyjit "nëpërmjet dashurisë hyjnore ndaj vëllezërve më të vegjël të Zotit". Nga kjo buron "një përgjegjësi e madhe dhe serioze për të krishterët": nevoja jo vetëm për t'u "u bërë mirë të tjerëve", por edhe "për t'i lejuar të tjerët ta bëjnë këtë, duke shprehur kështu anën më të mirë të natyrës së tyre njerëzore" dhe duke e bërë vogëlsinë "kriter të dashurisë e të besnikërisë" ndaj Zotit. Kuptimi i parë i shëmbëlltyrës së Gjyqit të Fundit- thekson Atë Pasolini - është pra pikërisht ky: "Para se të bësh mirë, është gjë e bukur dhe e nevojshme edhe të bëhesh (më) i vogël".

Vogëlsia është akt ungjillëzimi

Zoti - shton françeskani kapuçin - nuk dëshiron vetëm që bijtë e tij të dinë të duan, por edhe të duhen nga të tjerët, duke u krijuar "mundësinë për të qenë të mirë dhe bujarë". Është mënyra “më e thellë” e të dashuruarit - vijon Atë Pasolini - pasi i lë hapësirë​​tjetrit që ta  shfaqë humanizmin e tij  “në mënyrën më të mirë”. E duam fqinjin tonë veçanërisht kur i afrohemi atij "me butësi çarmatosëse" dhe e lejojmë "ta mirëpresë brishtësinë tonë", duke vënë në jetë "artin më të vështirë që nuk është të duash, por të të duan". Prandaj, e kuptuar si “mënyrë jetese” dhe humanizmi jashtëzakonisht përtëritës, vogëlsia bëhet “akt ungjillëzimi i vërtetë”, sepse e vë tjetrin në pozitën e mishërimit të gjesteve të dashurisë vëllazërore.

Shembulli i Shën Françeskut të Asizit

Si shembull të gjithë kësaj, Atë Pasolini përmend Shën Françeskun e Asizit, i cili e bëri vogëlsinë "kriter për të ndjekur" Zotin dhe "pjesë të identitetit tonë më të thellë". Kjo ndodhi, veçanërisht, në takimin ndërmjet Varfanjakut dhe sulltanit Malik-al-Kamil: pas një dialogu, sulltani nuk ndërroi fenë, por megjithatë e mirëpriti Françeskun dhe u kujdes për të, duke shfrytëzuar rastin që i ofroi Shenjti, për të shprehur çka kishte më të mirë nga vetvetja. “Të krishterët - vazhdon predikatari - nuk kanë “monopol” mbi të mirën”, por duhet të lejojnë edhe të tjerët ta praktikojnë atë.

Angazhohuni të bëheni më të urtë, pa i gjykuar të tjerët

Atë Pasolini, më pas përqendrohet në një aspekt tjetër themelor të shëmbëlltyrës së Gjyqit të Mbram: ai - shpjegoi - na fton të pezullojmë të gjitha gjykimet njerëzore që priremi të bëjmë përpara kohe, domethënë përpara gjykimit përfundimtar të Zotit. Për këtë arsye, thotë predikatari, në vend të shëmbëlltyrës së "Gjyqit të Mbram", duhet të flasim për shëmbëlltyrën "e fundit të çdo gjykimi", sepse nëse ndalojmë së gjykuari fqinjin tonë - gjë që nuk varet nga ne - atëherë do të jemi në gjendje të përqendrohemi në atë që ka vërtet rëndësi: të jemi gjithmonë "më të lirë, duke u larguar nga logjika 'ekonomike' me të cilën i bëjmë gjërat me synimin se do të na kthehen".

Mirënjohja nuk mund të blihet, është falas

Duke qëndruar larg pritjeve dhe dinamikave oportuniste, njerëzimi do të jetë në gjendje të ndjekë rrugën e vetme të vërtetë: atë të "pagesës së plotë", duke pushuar së kryeri ato gjeste me të cilat tenton të blejë mirënjohjen e të tjerëve dhe duke thyer rregullin e krahasimit me të cilin matë gjatësinë e vet. Vetëm në këtë mënyrë, nënvizon At Pasolini, do të mund të shkojmë drejt “një lumturie të thellë dhe konkrete”, duke kapërcyer frikën se nuk vlejmë për asgjë dhe do të fillojmë të japim vetveten, “duke i lejuar të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë me ne”.

Vlera e së mirës së pavetëdijshme

Është "e mira e pavetëdijshme", pra, çelësi i vërtetë për të hyrë në Mbretërinë e Zotit, ajo e mirë që do të kemi bërë pa e kuptuar, por që të tjerët do të mund ta njohin. Pastaj, në fund të kohës - shpjegoi predikatari - "e papritura e madhe" do të jetë zbulimi se Zoti "nuk priste asgjë prej nesh, përveç dëshirës së madhe për të na parë duke u bërë të ngjashëm me Të në dashuri". Atë ditë nuk do të llogaritet "sasia e veprimeve të mira apo të këqija të kryera”, por nëse, përmes tyre, do të mund të bëhemi plotësisht vetvetja".

Mishëroni vogëlsinë për të ndarë shpresën

Në prag të Krishtlindjes dhe të Jubileut, Atë Pasolini na fton të "zgjedhim   mishërimin e vogëlsisë, për ta ndarë shpresën e Ungjillit" në një botë që duket "armiqësore ose indiferente", por që në realitet pret vetëm të takojë "fytyrën e mëshirshme" të Atit në korpin e brishtë, por gjithnjë të dashur të fëmijëve të tij”.

“Kalimi i Portës Shenjte të Jubileut me sinqeritet të madh - përsëriti ai – pa u shqetësuar se duhet të shfaqësh një profil të ndryshëm, nga ai që Kisha ka mundur të zhvillojë ndër shekuj, mund të jetë vërtet një shpresë e madhe”. Meditimi përfundon me lutjen për Vitin Shenjt, në mënyrë që hiri i Zotit t'i shndërrojë njerëzit në "bujq të zellshëm të farave ungjillore", në "pritje të sigurt të qiejve të rinj dhe tokës së re".

20 dhjetor 2024, 14:53