Sheshi e Bazilika e Shën Pjetrit Sheshi e Bazilika e Shën Pjetrit

Jubileu. Në mediat e Vatikanit, audio, video dhe podcast për t’i përjetuar ngjarjet drejtpërdrejt

Në portalin Vatican News në 53 gjuhë, përfshirë gjuhën e shenjave, falë transmetimeve audio të Radio Vatikanit, videove të Vatican Media dhe bashkëpunimit me YouTube, çdo besimtar mund të marrë pjesë në ngjarjet jubilare. Të gjitha përmbajtjet janë menduar për të krijuar një urë ndërmjet botës dixhitale dhe përmasës shpirtërore

R.SH. – Vatikan

Më 24 dhjetor, Natën e Krishtlindjes, Papa do të hapë Portën Shenjte e do të fillojë Jubileun e Shpresës. Françesku na fton të lutemi e të përgatitemi gjatë gjithë këtij viti, "që ky Jubile të na përforcojë në fe, të na ndihmojë ta njohim Krishtin e ringjallur në mesin e jetëve tona, si edhe të na shndërrojë në shtegtarë të shpresës së krishterë" (Videomesazhi i ndjetit të lutjes për muajin dhjetor). Kjo ngjarje e Kishës universale mund të përjetohet nga të gjithë, edhe falë marrëveshjeve me Mediat e Vatikanit (Vatican Radio-Vatican News, L'Osservatore Romano, Vatican Media), me radiotelevizione, gazeta dhe platforma sociale në të katër anët e botës.

Secili merr pjesë drejtpërdrejt

Në veçanti, portali multimedial i Vatican News (sistem i integruar në 53 gjuhë, përfshirë gjuhën e shenjave), do t’i japë mundësinë çdo besimtari, falë transmetimeve audio të Radio Vatikanit, videove të Vatican Media dhe bashkëpunimit me YouTube, të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet jubilare dhe papnore, drejtpërdrejt ose “on demand”, për një udhëtim të vërtetë shpirtëror, të pasuruar me elemente informative, kulturore dhe historike.

Përmbajtje e shumëllojshme

Që nga hapja e Portave të Shenjta, duke filluar nga ajo e Bazilikës së Shën Pjetrit e deri në përfundimin e Vitit Shenjt, videot e Vatican News në YouTube do të jenë të larmishme dhe tërheqëse. Transmetimi i drejtpërdrejtë do t’u japë mundësinë miliona besimtarëve të bashkohen në lutje, duke parë pamje me cilësi të lartë, me komente dhe lajme në gjuhë të ndryshme, përfshirë gjuhën e shenjave.

Përveç transmetimeve të drejtpërdrejta, Vatican News në YouTube do të ofrojë një gamë të gjerë përmbajtjesh multimediale, të krijuara për të plotësuar nevojat e çdo lloj publiku:

• Video të shkurtra, që do të tregojnë çastet më të spikatura dhe më emocionuese të Jubileut, me një format të shpejtë dhe tërheqës, të përshtatshëm për t'u ndarë me të tjerët dhe për t’u gjetur lehtësisht.

• Intervista ekskluzive, reflektime me dëshmitarë dhe protagonistë të jetës kishtare dhe kulturore, për të medituar mbi kuptimin e Jubileut dhe mbi rëndësinë e tij shpirtërore në shoqërinë bashkëkohore.

• Vodcast dhe podcast: përmbajtje audio dhe video, krijuar për t’i shoqëruar shikuesit në zbulimin e temave kryesore të Vitit Shenjt, duke ofruar ide për reflektim, histori feje dhe dëshmi shtegtimesh nga e gjithë bota.

Afërsi shpirtërore me ata, që nuk mund të vijnë në Romë

Ky itinerar multimedial (që mund të ndiqet në audio, nëpërmjet aplikacionit Radio Vatican dhe në video, nëpërmjet aplikacionit Vatican News), përveçse do t’i ofrojë afërsi shpirtërore atyre, që nuk mund të vijnë në Romë, do të jetë mundësi për të rizbuluar trashëgiminë fetare, historike dhe kulturore, që lidhet me Jubileun dhe me Kishën universale. Çdo përmbajtje do të mendohet për të krijuar një urë lidhëse ndërmjet botës dixhitale dhe përmasës shpirtërore, duke bërë që besimtarët dhe të interesuarit të ndihen pjesë aktive e një ngjarjeje, e cila ka rrënjë të thella në traditën e krishterë.

Vatican News, falë edhe YouTube, do t’u ofrojë të gjithëve një përvojë, që të gjithë mund ta ndjekin, duke e shoqëruar kështu çdo njeri në këtë rrugëtim feje, shprese dhe bashkimi universal.

20 dhjetor 2024, 10:41