Kardinali Parolin në spitalin pediatrik Bambino Gesù të Romës Kardinali Parolin në spitalin pediatrik Bambino Gesù të Romës

Kard. Parolin në Bambino Gesù: "Jubileu qoftë për të gjithë kalim i shpresës"

Si çdo vit para festave të Krishtlindjes, Sekretari i Shtetit vizitoi spitalin e Vatikanit, ku u takua me mjekët, infermierët, pacientët dhe familjet e tyre. Në kapelën e spitalit, një çast reflektimi me personelin rregulltar, më pas, një vizitë në repartet e Nefrologjisë dhe Reumatologjisë për të përshëndetur pacientët: "Shpresa banoftë brenda jush e qoftë gjithnjë e më e fortë".

R.SH. / Vatikan

"Këtë vit, njëheresh me kremtimin e Krishtlindjes, do të hapet edhe Porta Shenjte e do të nisë Jubileu kushtuar temës së shpresës. Qoftë për të gjithë    kalim shprese. Sepse të gjithë kemi nevojë për të". Ky, urimi që kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, i drejtoi bashkësisë të Spitalit Bambino Gesù, të cilin e vizitoi dje, më 20 dhjetor. Si çdo vit, në prag të festave, Kardinali ishte në spitalin e Vatikanit, për t’u uruar Krishtlindjen dhe për t’u shprehur afërsinë e Papës pacientëve të rinj.

Përshëndetje mjekëve e infermierëve, përqafim pacientëve e familjeve

Kardinali Parolin, që mbërriti pasdite në Selinë e Gianicolo-s, në Romë, u prit nga presidenti, Tiziano Onesti. Më pas u ndalua në kapelë, ku një përfaqësi  mjekësh, infermierësh, pacientësh dhe familjarësh e priste për një çast reflektimi, së bashku me personelin rregulltar të spitalit. Sipas traditës, Kardinali Parolin ia drejtoi urimet e Krishtlindjes gjithë bashkësisë së Bambino Gesu.

Në përfundim, i shoqëruar nga Onesti, Dukesha Salviati dhe drejtori i shëndetësisë, Massimiliano Raponi, vizitoi departamentet e Nefrologjisë dhe Reumatologjisë, duke u ndaluar disa çaste për të përshëndetur të sëmurët e vegjël dhe familjet.

“Krishti Fëmijë”, vend shprese

Sekretari i Shtetit të Vatikanit i solli pacientëve të vegjël "përshëndetjet e Papës Françesku" dhe kujtoi hapjen e afërt të Jubileut, më 24 dhjetor. Uroi edhe që Viti Shenjt të  jetë kohë shprese në një vend me emrin “Krishti Fëmijë”, i cili tashmë është në vetvete "vend shprese". Shpresë "për t'u përmirësuar dhe për të rifilluar jetën normale". "Këtu ne kujdesemi për njerëzit" - vazhdoi Kardinali - shumë nga shpresat tona zhgënjehen, por Jezusi, nga ana tjetër, nuk të zhgënjen kurrë”. Duhet t’i besojmë fjalës së Zotit dhe asaj që na ka siguruar. Shpresa qoftë me secilin prej jush, e, veçanërisht në kohë të vështira, banoftë brenda jush e qoftë gjithnjë e më  fuqishme.

Ju uroj “Për shumë vjet Krishtlindjen, ju e të dashurve tuaj".

21 dhjetor 2024, 15:44