Piazza San Pietro Piazza San Pietro

Notat e Krishtlindjes, muzikë dhe valle në Sheshin e Shën Pjetrit, më 24 dhjetor

Pas Meshës së mbrëmjes, në prag të hapjes së Portës Shenjte, do të ketë një koncert me zërat e artistëve të jashtëzakonshëm si Bocelli, Baglioni dhe Allevi. Mund të soditet edhe kërcimi i Roberto Bolle-s dhe të ndiqen dëshmitë e kardinalit Mauro Gambetti, Atë Ibrahim Faltas dhe Atë Enzo Fortunato

R.SH. / Vatikan

Do të jepet të martën, 24 dhjetor, pas Meshës së mbrëmjes, në vigjilje të Krishtlindjes dhe ritit të përurimit të Jubileut, kryesuar nga Papa Françesku, "Note del Natale - Speciale Giubileo”, ngjarje që gërsheton muzikën, kulturën dhe traditën. Programi, i drejtuar nga Eleonora Daniele, do t’i shoqërojë, nga Sheshi i Shën Pjetrit, spektatorët në atmosferën e Natës së Shenjtë me zërat e artistëve të jashtëzakonshëm si Andrea Bocelli, Claudio Baglioni, Giovanni Allevi, kori i Cappella Giulia i Bazilikës së Shën Pjetrit, violinistja Anastasiya Petryshak dhe hapat e valles së Roberto Bolle-s, në një udhë, që bëhet metaforë e afrimit tek Porta Shenjte.

Dëshmitë

"Shënimet e Krishtlindjes", ngjarja e parë e Vitit Jubilar, do të tërheqë publikun e Rai Uno me historinë dhe atmosferën e një riti të lashtë, me fjalët e kardinalit Mauro Gambetti, kryeprift i Bazilikës Papnore të Shën Pjetrit dhe famullitar i përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit dhe Atë Ibrahim Faltas, Vikar i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, në lidhje nga Shpella e Lindjes së Krishtit, në Betlehem.

Çast mirënjohjeje dhe shprese

"Krishtlindja është festë universale, që i bashkon të gjithë në një çast reflektimi, mirënjohjeje dhe shprese. Asnjëherë, si në këtë vit, sytë e botës nuk do të drejtohen Natën e Krishtlindjes mbi Bazilikën e Shën Pjetrit - shprehet Atë Enzo Fortunato, drejtor i komunikimit i Bazilikës së Shën Pjetrit - ku do të kremtohet riti solemn i hapjes së Portës Shenjte, i cili synon të jetë vazhdimi i gëzimit, që Papa Françesku i jep Kishës në hapjen e Jubileut të zakonshëm.

Falë talenteve artistike të grave dhe të burrave të kohës sonë, do të jemi në gjendje të gëzohemi për këtë ngjarje të rëndësishme të Kishës Universale - përfundon Atë Enzo - çast për të përqendruar vëmendjen tek njerëzimi, sepse Kisha është nënë e mëshirshme dhe mikpritëse për të gjithë, e veçanërisht për më të voglin.

Notat e Krishlindjes, tashmë në edicionin e tretë, janë program i përfshirë në Rai nën kujdesin e drejtorit Primetime, Marcello Ciannamea, shkruar nga Paola Miletich e drejtuar nga Marco Capasso.

23 dhjetor 2024, 15:02