Papa, klerit të Korsikës: falni gjithçka, falni gjithmonë
R.SH. – Vatikan
Ipeshkvijtë, meshtarët, diakonët, murgeshat, rregulltarët dhe seminaristët e Korsikës u mblodhën sot, 15 dhjetor, në katedralen e Zojës së Madhe të Ajaccio-s për të thënë, së bashku me Papën Françesku, lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Duke iu drejtuar klerit vendas, në takimin e dytë të udhëtimit të tij apostolik njëditor në ishullin francez, Ati i Shenjtë falënderoi të pranishmit për përpjekjet e tyre të përditshme, edhe në mes të sfidave.
Të bekuar, edhe pse pa shumë mundësi
Ndërmjet këtyre sfidave, Papa vuri në dukje betejën për përhapjen e Ungjillit sot në Evropë, ku burimet për Kishën janë të pakta, shifrat janë të ulta dhe shoqëria është shpesh indiferente. Megjithatë, Papa Françesku e përshkroi këtë 'varfëri' si bekim, pasi "na zhvesh nga pretendimi i suksesit vetëm me forcat tona" e pa Zotin. Kjo përvujtëri, theksoi Ati i Shenjtë, na e mban vështrimin të ngulitur te Krishti, i cili bën vepra të mëdha me gjithçka mundemi t’i ofrojmë. Më pas, Papa i nxiti të pranishmit ta pyesin veten: Si po e jetoj meshtarinë, përkushtimin, jetën time si dishepull?
Kujdesuni për veten, kujdesuni për të tjerët
Papa e ftoi klerin korsikan të përqendrohet në dy lloje kujdesi: atë për veten dhe atë për të tjerët. Duke u kujtuar të kujdesen për veten, Françesku e përshkroi thirrjen në meshtari si rinovim të përditshëm. “Nuk ka jetë pa Zotin”, vërejti ai, duke vënë në pah nevojën për kremtimin eukaristik dhe për çaste heshtjeje gjatë ditës. Gjithashtu, Ati i Shenjtë këshilloi të ekuilibrohet mirë jeta, duke i lënë kohën e duhur pushimit, dialogut, madje, edhe interesave personale, për të krijuar vëllazërim në çdo bashkësi fetare.
Ungjillëzimi kërkon besim, krijimtari dhe guxim
Papa foli më pas për njerëzit, në mesin e të cilëve kryhet shërbesa e secilit prej anëtarëve të Kishës. Përmendi Shën Palin apostull, që u thoshte ndjekësve të tij se do të shuhej me gëzim për ta. Ungjillëzimi, vuri në dukje Françesku, kërkon besim, krijimtari dhe guxim që të rivlerësohen metodat e vjetra dhe të përqafohen mënyra të reja për të takuar njerëzit aty ku janë. Sidomos, shtoi Ati i Shenjtë, ai ka të bëjë me takimin, që do të thotë t’u çohet shpresa e Krishtit të vuajturve, të humburve dhe të gjithë atyre, që kërkojnë kuptimin e jetës. Kjo do të thotë edhe të përdorësh dhembshurinë dhe faljen, veçanërisht në sakramentin e Pajtimit.
“Ju lutem, falni gjithmonë”
Duke folur për faljen, Papa kërkoi: “Ju lutem, falni gjithmonë. Falni gjithçka dhe gjithmonë”. Kujtoi fjalët e një kardinali të urtë, i cili i këshillonte meshtarët të mos bënin kurrë shumë pyetje e "nëse ndokush belbëzon nga turpi, i thoni: "Mirë, e kuptova. Vazhdo”. Gjithmonë falni, përsëriti Papa, duke vënë në dukje se falja pasqyron vetë zemrën e Zotit.
“Në 55 vjet si prift, nuk ia kam mohuar kujt faljen, kurrë. Më pëlqen të rrëfej. Gjithmonë, jam përpjekur të fal”, theksoi Ati i Shenjtë.
Lutja për “Madunnuccia”
Në fund të fjalës së tij, Papa Françesku iu drejtua Virgjërës Mari, ose "Madunnuccia" siç njihet në Korsikë, përpara se të thoshte, së bashku me të pranishmit, lutjen mariane të Engjëllit të Tënzot.