Kërko

Papa: në kohë luftërash dhe magjepsjesh dixhitale, t’ia besojmë shpresat Zotit

Në Engjëllin e Tënzot të festës së Zojës së Papërlyer, Papa kritikon përpjekjen për të pasur e për të dominuar, etjen për para, dëshirën për "miq të pushtetshëm", "modelet e rreme vezulluese" të medias dhe internetit: t’ua lënë vendin bindjes në mëshirën e Zotit, siç bëri Virgjëra Shenjte, kërkon ai. Ati i Shenjtë i fton të gjithë të shkojnë të rrëfehen brenda kësaj jave

R.SH. – Vatikan

Maria e la fatin e saj në duart e duhura. Kujtoi këtë Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot të Solemnitetit të Zojës së Papërlyer, ndërsa u kërkoi të gjithëve të shkojnë të rrëfehen brenda kësaj jave, që të arrijnë në Krishtlindje e në hapjen e Portës Shenjte të Jubileut 2025, me zemër të pastër. Duke pasur parasysh Lajmërimin e Zojës, Ati i Shenjtë pyeti: Sa jemi gati, në këtë epokë të dëshpëruar dhe të zymtë që po jetojmë, të bëjmë siç bëri Maria para kryeengjëllit Gabriel, duke pranuar planin e Hyjit për të?

Te kush kam shpresë?

Papa u kërkoi besimtarëve ta lexojnë këtë pjesë të Ungjillit sipas Lukës, sepse do t’ju bëjë mirë e do ta shikojnë botën me sy tjetër. Pikërisht për t’i ndihmuar në këtë shqyrtim, siç bëri në meshën e mëngjesit me kardinajtë e rinj, Françesku shtroi një sërë pyetjesh:

“Në kohën tonë, të trazuar nga luftërat dhe të përqendruar në përpjekjet për të pasur e për të dominuar, te cili kam shpresë? Tek forca, tek paratë, tek miqtë e pushtetshëm apo tek mëshira e pafund e Zotit? E, përballë modeleve të rreme vezulluese, që qarkullojnë në media e në internet, ku e kërkoj lumturinë? Ku është thesari i zemrës sime? Gjendet në faktin se Zoti më do pa interes, se dashuria e tij më paraprin gjithmonë dhe se është gati të më falë kur kthehem i penduar tek Ai? Apo mashtrohem duke u përpjekur të afirmoj vetveten dhe vullnetin tim me çdo kusht?”

Njerëzorja e hyjnorja bashkohen në “po”-në e Marisë

 Njerëzorja e hyjnorja bashkohen në “po”-në e Marisë për Zotin, çast i bekuar, e quajti Papa, nga i cili u var fati i gjithë njerëzimit.

“Si në skenën e krijimit të Adamit, pikturuar nga Mikelanxhelo në Kapelën Sikstine, ku gishti i Atit Qiellor gati prek atë të njeriut; kështu edhe këtu, njerëzorja e hyjnorja takohen, në fillim të Shëlbimit tonë, takohen me një delikatesë të mrekullueshme, në çastin e bekuar në të cilin Virgjëra Mari thotë "po"”.

Rrëfehuni brenda javës

Duke pasur parasysh hapjen e Portës Shenjte natën e Krishtlindjes e festat e fundvitit, në përfundim të katekizmit, para se t’u jepte të gjithëve takim në Sheshin e Spanjës, ku pasdite nderoi Zojën e Papërlyer në të kremten e saj, Papa i ftoi besimtarët të rrëfehen:

“Po ju jap një këshillë. Sot është ditë e bukur për një rrëfim të mirë. Nëse nuk mund të shkoni sot, shkoni këtë javë, deri të dielën tjetër, hapeni zemrën dhe Zoti fal gjithçka, gjithçka, gjithçka. E kështu, në dorën e Marisë, do të jemi më të lumtur”.

08 dhjetor 2024, 12:59

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >