Audienca e përgjithshme, 11 dhjetor 2024 Audienca e përgjithshme, 11 dhjetor 2024

Papa: "shpresa është dhurata më e bukur që Kisha mund t'i japë njerëzimit"

Në audiencën e përgjithshme Papa përfundoi ciklin e katekizmit - gjithsej shtatëmbëdhjetë - titulluar "Shpirti dhe nusja". Shpirti Shenjt i prin popullit të Zotit për të takuar Jezusin, shpresën tonë” - thekson - e në vijim ndalohet pikërisht tek virtyti teologjik, bazuar mbi besnikërinë e Zotit ndaj premtimeve të tij e të rrënjosura prej Tij. "Është dhurata më e bukur që Kisha mund t'i bëjë mbarë njerëzimit", pohon Papa, "sidomos në çastet kur gjithçka duket sikur na shtyn t’i ulim velat

R.SH. / Vatikan

“Shpirti Shenjt është burimi gjithnjë gufues i shpresës së krishterë”. E, nëse Kisha është varkë, Shpirti Shenjt është vela që e shtyn dhe e bën të lundrojë në detin e pafundmë të historisë”. Ky është epilogu i ciklit të katekizmit “Shpirti Shenjt dhe Nusja i prijnë popullit të Zotit drejt Jezusit,  shpresës sonë”. E me këtë Papa Françesku e mbyll audiencën e dytë të përgjithshme të dhjetorit, dy javë para hapjes së Jubileut të njëzetepestë të zakonshëm universal.

Jubileu i shpresës.

Shpresa nuk është fjalë boshe. E as dëshira jonë e vagëlluar që gjërat të përmirësohen: shpresa është siguri, sepse bazohet mbi besnikërinë e Zotit ndaj premtimeve të tij. Prandaj quhet virtyt teologjik: sepse u krijua  nga Zoti dhe Zotin e ka garant”.

Të rrezatojmë e të mbjellim shpresë

Në reflektimin e propozuar sot, 11 dhjetor, për besimtarët e mbledhur në Sallën Pali VI, në Vatikan, Papa Françesku shpjegoi se shpresa "është virtyt jashtëzakonisht aktiv", që ndihmon në realizimin e gjërave. Më pas citoi José Comblin, meshtar dhe teolog belg, misionar në Brazil, i cili ndërroi jetë në vitin 2011, pas një veprimtarie të guximshme, kaluar në luftë për çlirimin e të varfërve". E pikërisht për ta shkroi se "Shpirti Shenjt është në origjinë të britmës së të varfërve. Është forca e atyre, që nuk kanë forcë”. Prandaj “i prin luftës për emancipimin dhe realizimin e plotë të popullit të shtypur”. E atëherë besimtarët duhet ta kultivojnë atë, që ta ushqejnë shpresën.

I krishteri nuk mund të kënaqet vetëm pse e ka shpresën; duhet edhe ta rrezatojë, të jetë bujk shprese. Është dhurata më e bukur që Kisha mund t'i bëjë mbarë njerëzimit, sidomos në çastet kur gjithçka duket se na shtyn t’i ulim velat.

Dashuria është forma më frytshme e ungjillëzimit

Papa Françesku kujtoi ftesën e Shën Pjetrit Apostull drejtuar të krishterëve të parë për të qenë "gjithnjë të gatshëm t'i përgjigjen kujtdo u kërkon arsye për shpresën, që është ndër ta", "me butësi dhe respekt". Meqenëse "nuk do të jetë aq forca e argumenteve e cila do t'i bindë njerëzit, por dashuria që ne do të jemi në gjendje t'u japim atyre", sqaron Papa, e është kjo "forma e parë dhe  më e suksesshme e ungjillëzimit”. Formë, që u përket të gjithëve”.

Shpirti Shenjt e bën Krishtin aktiv dhe të pranishëm në Kishë

Duke u ndalur tek tema e shtatëmbëdhjetë e katekizmave kushtuar Shpirtit Shenjt dhe Kishës, Papa Bergoglio kujton thirrjen - "Eja" - drejtuar nga Shpirti dhe nga Nusja Krishtit të Ngjallur, që është Kisha, në një nga versetet e fundit të Biblës, në Librin e Zbulesës. Verset që, për të krishterët e hershëm, ishte thirrja "Marána tha!", "Eja, o Zot!". “Kjo britmë dhe pritja që të kujton, nuk u shuan kurrë në Kishë” - theksoi Papa Françesku - duke saktësuar se përveç “pritjes së ardhjes përfundimtare të Krishtit”, është edhe “pritja e ardhjes së tij të vazhdueshme në situatën e sotme dhe shtegtare të Kishës”.

Por "Eja" është edhe thirrja që Kisha i drejton Shpirtit Shenjt Zot, për shembull në shumë himne dhe lutje.

Prej këndej, përmbledhja e Papës:

Pas Ngjalljes së Jezusit, Shpirti Shenjt është “alter ego” e vërtetë e Krishtit. Ai që zë vendin e tij, që e bën atë të pranishëm dhe aktiv në Kishë. Është Ai që "lajmëron bëmat e ardhshme" dhe i bën ato të dëshirohen e të priten. Kjo është arsyeja pse Krishti dhe Shpirti janë të pandashëm, madje edhe në ekonominë e shëlbimit.

11 dhjetor 2024, 11:44

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >